E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Jemi në krizë, të nxiten kreditë e buta



Shoqata e Ndërtuesve propozon paketë masash antikrizë

600 shoqëri ndërtimi në 2008, asnjë lekë xhiro

Sektori i ndërtimit rrezikohet nga kriza ekonomike. Një pjesë e mirë e tij rriskon të falimentojë, pasi prej rreth një viti, një numër i madh firmash ndërtimi nuk kanë kryer aktivet, duke pasur një nivel prej 0 lekësh xhiro. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, deklaroi dje për mediat se sektori i ndërtimit është në vështirësi të mëdha dhe kërkoi nga ana e qeverisë masa anti-krizë për të dalë nga kjo situatë. Muçi tha dje se Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj se situata alarmante e ekonomisë dhe financave botërore po reflektohet gjithnjë e më ndjeshëm edhe në ekonominë reale të vendit. “Në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2008 nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro, pra nuk kanë punuar mbi 600 shoqëri nga rreth 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi”, - u shpreh Muçi. Ndërsa shtoi se nga ana tjetër, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008 shitjet kanë pësuar një rënie të dukshme në krahasim me tremujorin e tretë të po atij viti dhe se numri i apartamenteve të pashitura është më i madh 4 mijë, pa llogaritur këtu dhe mijëra metra katrorë ambiente tregtare të pashitura. Muçi theksoi se aktualisht ndërtimi po vuan mungesën e likuiditeteve dhe të financimeve, së pari, për shkak të rënies së kreditimit bankar të ekonomisë në përgjithësi dhe të ndërtimit në veçanti dhe së dyti, për shkak të rënies së remitancave të emigrantëve, si burim i rëndësishëm financimi për tregun shqiptar të ndërtimit. Përballë një realiteti të tillë shqetësues, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i kërkon qeverisë të vlerësojë drejtë dhe në mënyrë realiste situatën dhe mbi këtë bazë të përcaktojë një strategji të qartë e një plan të detajuar antikrizë. Shoqata e Ndërtuesve shpreh gatishmërinë e saj të plotë për të bashkëpunuar dhe për të ofruar kontributin e saj për përgatitjen e këtij plani. Për të përballuar këtë situatë, Shoqata e Ndërtuesve ka paraqitur një plan masash antikrizë, që ia propozon qeverisë me qëllim të ndihmohet në përballimin e situatës dhe lehtësimin e pasojave të krizës globale në vend.

box

Masat antikrizë që propozojnë ndërtuesit

Ndërtuesit kërkuan dje që qeveria të marrë masa për nxitjen e rritjes së konsumit, nëpërmjet gjallërimit të kredive të buta për shtresat në nevojë për strehim, për familjet e reja, apo për qëllime të tjera. Po në ketë kuadër, Shoqata e Ndërtuesve mirëpret nismën e qeverisë për subvencionimin e interesave të kredive për 2000 të pastrehë dhe shpreson që kjo nismë të konkretizohet sa më parë në realitet. Ndërtuesit propozojnë që të hiqet dorë nga politikat centralizuese dhe shtrënguese fiskale, duke shfuqizuar aktet ligjore në fuqi, që kanë të bëjnë me pagat referuese në ndërtim, me manualet e preventivimit në ndërtim, me çmimet e referencës në materialet e ndërtimit etj. Gjithashtu, ndërtuesit kërkojnë që të ulet norma e TVSH-së. Ka ardhur koha të bëhet diferencimi i TVSH-së, duke e ulur atë për mallrat jetikë të konsumit të gjerë e ndërtimin dhe duke e rritur për mallrat e luksit, për mallrat që dëmtojnë shëndetin dhe ndotin ambientin. Shoqata e Ndërtuesve e përshëndet vendimin e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës së interesit, por ajo kërkon që të forcohet kontrolli publik mbi bankat, me qëllim që ato të zbatojnë siç duhet misionin e tyre të financimit të ekonomisë dhe të jenë më aktive në kreditim, duke lehtësuar procedurat që kanë të bëjnë me vendosjen e kolateralit. Problemet aktuale në kreditim kanë vënë në vështirësi serioze sektorin e ndërtimit. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë të analizojë mundësinë për rritjen e kufirit të garantimit të depozitave. Ky do ishte një mesazh qetësie para situatave të pritshme të krizës. Ndërtuesit kërkojnë që qeveria të bëjë një politikë investimesh publike të strukturuar më mirë dhe të shpërndarë më drejtë. Në kushtet e krizës është e pavend që të bëhen investime të konsiderueshme vetëm në një objekt. Biznesi vendas, i cili realisht i ka potencialet e duhura, duhet të vlerësohet me prioritet në kryerjen e investimeve publike për ndërtimet në infrastrukturë, energjetike, turizëm etj. Ndërtuesit kërkojnë që të bëhet politikë stimuluese për investime serioze dhe domethënëse në turizëm, i cili është sektori prioritar, më premtues dhe me të ardhme për ekonominë tonë. Ndër të tjera, ndërtuesit kërkojnë që të merren masa prioritare nga qeveria për përshpejtimin e punës për miratimin e ligjit për planifikimin urban dhe miratimin e planeve rregulluese të qyteteve më të mëdha, që realisht janë bërë pengesë për zhvillimin e ndërtimit në tërësi. Propozimi tjetër është që të ndryshohet vendimi i Këshillit të Ministrave për kategorizimin e shoqërive të ndërtimit, në mënyrë që licencimi i tyre të kushtëzohet nga i gjithë aktiviteti historik i tyre në ndërtim dhe jo vetëm me katër vitet e fundit të aktivitetit. Ndërtuesit propozojnë që t’i jepet fund me veprime konkrete informalitetit në ndërtim, i cili akoma vazhdon të jetë tepër i lartë. Njëkohësisht me ketë, t’i jepet zgjidhje përfundimtare legalizimit të zonave informale në vend. Suksesi i këtij procesi është jetik për tërë ekonominë e vendit, pasi ai do të gjallërojë ndjeshëm tregun imobiliar dhe do t’i japë atij më shumë frymëmarrje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›