E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporterët e KiE "zbarkojnë" në Tiranë

Raporterët e Këshillit të Europës, David Wilshire dhe Jaakko Laakso mbërritën dje në Shqipëri për të mbledhur fakte në lidhje me vlerësimin e respektimit të detyrimeve dhe angazhimeve të KiE. Takimi me zyrtarët e lartë dhe krerët e partive politike zë axhendën për tri ditët që ata do të qëndrojnë në Shqipëri. Pas kësaj vizite do të mundësohet finalizimi i raportit, i cili do të debatohet në seancën plenare në Strasburg në fundin e janarit të vitit që vjen. Takimin e parë, raporterët Wildshire dhe Laakso e zhvilluan me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke e përgëzuar për rizgjedhjen e saj në krye të Parlamentit, raporterët thanë se "rizgjedhja juaj në këtë post është shumë e rëndësishme, pasi ju i njihni çështjet parlamentare në thellësi". Në fokusin e misionit të reporterëve të KiE-s në Tiranë është marrja e informacionit për çfarë ka realizuar Shqipëria nga detyrat e Këshillit të Europës. Vizita e ndërkombëtarëve vjen në një moment kur disa projektligje kërkojnë 3/5 në Kuvend dhe bojkoti i opozitës ka frenuar punën e Parlamentit. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Europës, i cili thekson se "procesi zgjedhor në 93 për qind të qendrave të votimit u vlerësua mirë dhe shumë mirë" dhe se "zgjedhjet parlamentare në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm". Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, u certifikuan si "zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së", duke shprehur kënaqësinë se këto zgjedhje ishin më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur kështu synimin për plotësimin e standardeve. Kryeparlamentarja Topalli gjatë takimit tregoi edhe gatishmërinë që mazhoranca ka për të bindur opozitën që të rikthehet në Kuvend. Sipas saj, Parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit. Pasditen e djeshme, raporterët e KiE-s, Wildshire dhe Laakso zhvilluan edhe takime me përfaqësuesit e selisë rozë. Këta të fundit i informuan raporterët për qëndrimin ndaj bojkotit të Kuvendit dhe kërkesën e tyre të vazhdueshme për hapjen e kutive. Përfaqësuesit e partisë kryesore të opozitës vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e shtetit shqiptar. Dy raporterët e Këshillit të Europës takuan edhe ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, me të cilin bashkëbiseduan në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë. Ditën e enjte, pritet që raporterët të zhvillojnë një takim edhe me Kryeministrin Sali Berisha.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›