E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit ‘OK’ vendimit për realizimin e 70 % të punimeve

 

Shoqata e ndërtuesve ka reaguar për vendimin e miratuar në mbledhjen e qeverisë. Sipas këtij vendimi, nuk do të marrin pjesë në tenderat për punë publike ato kompani ndërtimi që nuk kanë përfunduar 70 për qind të punës së kontratës së mëparshme. Lidhur me këtë vendim, kryetari i Shoqatës, Maksim Muçi u shpreh se, “vendimi i qeverisë bën një ndryshim në rregulloren e licencimit. Sipas rregullores ekzistuese janë përcaktuar nivelet për të cilat firmat janë licencuar. Ky vendim saktëson se nuk do të procedohet më me këto vlera që janë në licencë, por do të procedohet me 70 për qind të vlerave të tyre. Ne e quajmë pozitiv si rregullim, sepse po të pranojmë vetëm faktin që në kushtet e kësaj krize krijohet një mundësi për të marrë pjesë një numër më i madh firmash”. Nga ana tjetër, duke u shprehur për bashkëpunimin me qeverinë, Muçi vuri në dukje se përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit edhe në këtë rast do të ishin shumë të interesuar të merrnin pjesë që në procesin e hartimit dhe përmirësimit të legjislacionit për këtë sektor. Aq më tepër, theksoi ai, sidomos kur bëhet fjalë për rregulloren e licencimit të biznesit të ndërtimit, të cilën shoqata e ka kontestuar. “Kjo rregullore duhet riparë në mënyrë tërësore për ta bërë në përputhje me standardet dhe zhvillimet në sektorin e ndërtimit sot”, tha Muçi. Sektori i ndërtimit, edhe pse me luhatje gjatë vitit 2008, për shkak të krizës ekonomike ndërkombëtare, vazhdon të mbetet më frytdhënës në rritjen ekonomike të vendit. Banka e Shqipërisë evidenton në raportin statistikor për vitin 2008, se sektori i ndërtimit ka qenë sektori me performancën më të lartë gjatë këtij viti, me një rritje prej rreth 86 për qind dhe kjo rritje u atribuohet në masën më të madhe investimeve publike, kryesisht në infrastrukturën rrugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›