Qendër rehabilitimi për përdoruesit e drogës
KORÇE - Të lodhur nga varësia e drogës, 60 të rinj nga Korça kërkojnë ndihmë në qendrën e rehabilitimit “Aksion Plus”. Të vetëdijshëm se duhet të ndahen një herë e mirë nga narkotikët, por të pafuqishëm për ta luftuar të vetëm, ata i janë drejtuar kësaj qendre, ku kryhet këshillimi dhe trajtimi i tyre. Mësohet se mes 60 të rinjve, 14 prej tyre janë femra. Përdoruesit, sipas drejtuesve të shoqatës janë kryesisht të rinj të papunë, endacakë, etj. Kjo veprimtari në Korçë drejtohet nga mjeku Ylli Qirinxhi dhe ka afro një muaj që ka filluar nga puna. Sipas Qirinxhit, numri i frekuentuesve të kësaj qendre rritet nga dita në ditë. Secili prej përdoruesve paraqitet me një dokument identifikimi. Më pas personeli i kësaj qendre, me kartelë mjekësore ndjek përmes analizave laboratorike shkallën e dëmtimeve, që ka shkaktuar droga në organizëm dhe më pas fillon mjekimin në përshtatje me to. Kurimi fillon me doza minimale të preparatit metadon, e cila që ditën e parë sipas mjekut Qirinxhi zvogëlon të gjitha shenjat klinike që jep përdorimi i heroinës. Doza në ditët në vijim rritet derisa arrin masën maksimale të përcaktuar nga mjeku. Në Korçë “Aksioni plus” nuk e ka mbushur muajin që po aplikohet dhe po vihet re se ka filluar të tërheqë kontingjente përdoruesish droge. Mes atyre që e kanë kaluar këtë prag janë edhe 14 vajza. Por këto të fundit rezultojnë të jenë më të tërhequra, pasi i tremben faktit nëse opinioni mëson se ato janë përdoruese droge. Megjithatë, Qirinxhiu iu bën thirrje që të shkojnë e kurohen mbasi qendra merr përsipër të ruajë anonimatin e tyre. j.gj