E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbreti Zog, shtatore në mes të Matit

 

BURREL / HASAN PASHA

Inaugurohet në she-shin “Demokracia” të Burrelit shtatorja e mbretit Zog. Pas shumë shtyrjesh, monumenti i përfunduar që në fillim të vitit u zbulua dje në qendër të qytetit. Banorë të rrethit të Matit, kryesisht mbështetës të monarkisë kanë pritur me duartrokitje në ceremoninë për këtë rast Kryeministrin Berisha dhe pretendentin për fron, Leka Zogu. Kryetari i Bashkisë së Burrelit, Skënder Lleshi tha se pjesa kryesore e historisë së lavdishme të Shqipërisë ishte ajo e mbretit Zog dhe se duhet ndriçuar nga historianët shqiptarë. Nga ana e tij, Leka Zogu falënderoi biznesmenin Isuf Neli dhe ideatorët e kësaj shtatoreje. “Falënderoj nga zemra ata që mundësuan ngritjen e këtij piedestali të babait tim, birit të Matit dhe Mbretit të shqiptarëve. Në veçanti biznesmenin Isuf Neli që sponsorizoi ndërtimin e kësaj shtatoreje, kryetarin e Bashkisë Burrel, Skënder Lleshi dhe Këshillin Bashkiak të Burrelit. Jam shumë i prekur që në këtë ceremoni merr pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ky është një moment historik që i përket gjithë Shqipërisë, veçanërisht Matit”, tha duke përfunduar Leka Zogu. Nga fillimi dhe deri në fund të fjalës së tij, Kryeministri Berisha foli me nota pozitive për mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu. Ai theksoi se vendosja e kësaj shtatoreje është nder për krahinën e Matit dhe gjithë Shqipërinë. “Pavarësia u shpall në Vlorë, - tha Berisha, - ndërkohë shteti i parë modern shqiptar nisi këtu në Mat me burrin e madh Ahmet Zogu”. Para të pranishmëve, kryeministri përmendi vlerat e spikatura të prijësit të shqiptarëve, themeluesit të shtetit të parë demokratik gjatë viteve ‘20-‘30-të të shekullit të kaluar. Në vijim Berisha pohoi se: “Mbreti Zog i shqiptarëve dhe flamuri kuq e zi u bënë simbole të vetme të bashkimit të së gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Ai ishte mbreti i vetëm që pas luftës antifashiste nuk u lejua të vinte në atdheun e tij për të cilin kishte bërë kaq shumë”. Berisha nënvizoi se mbreti Zog me përpjekjet e vazhdueshme të tij konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe ndali popujt e tjerë për ndarjen e mëtejshme të saj.
Kryeministri Berisha dhe Leka Zogu zbuluan së bashku shtatoren 5 metra të lartë, që do të qëndrojë në sheshin “Demokracia” të Burrelit. Pas ceremonisë legalistë të njohur të trevës së Matit puthnin shtatoren të përlotur. Leka Zogu dhe monarkistët pushuan në një nga lokalet e qytetit, ndërkohë Kryeministri Berisha përuroi nisjen e punimeve në dy rrugë, atë nga Gjykata e Burrelit deri në unazën e këtij qyteti dhe rrugën nga ura e Matit në drejtim të Selishtës, Dibër.

Peripecitë e familjes mbretërore

Nëntor 1993     Leka Zogu dhe pjesëtarë të oborrit mbretëror mbërritën në Tiranë dhe u sistemuan në hotel “Dajti”, mirëpo u urdhëruan nga autoritetet e kohës që të largohen nga Shqipëria me pretendimin se nuk kishin pasaporta shqiptare dhe mosshfuqizimi i ligjit, që pengonte hyrjen e familjes mbretërore në Shqipëri

Prill-korrik 1997 Leka Zogu mbahet mend se është vënë në krye të legalistëve dhe kanë protestuar para KQZ. Legalistët pretendonin se në ato zgjedhje kishte fituar votimi që Shqipëria të shpallej monarki.

Qershor 2002    Bllokohet një arsenal armësh, pronë e Leka Zogut, në komisariatin e Rinasit. Mes tyre kishte armë të cilësuara si pjesë e koleksionit të Zogut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›