Vlorë, sërish dritat problem
VLORE - Zvërneci, zona e Orikumit dhe e Radhimës, si dhe një lagje në Vlorë kanë kaluar rreth 24 orë pa energji elektrike. Në Zvërnec, për të dytën herë shkak është bërë vjedhja e kabllove, ndërsa në Orikum është djegur transformatori. Pas rreth 16 orësh u vu një transformator i ri. Për vendosjen e tij është punuar dje gjatë gjithë ditës. Kjo jo vetëm për shkak se dy zonat tepër të populluara nga pushues e turistë ishin pa drita, por edhe se pa energji nuk punonin as pompat e ujit që furnizojnë qytetin e Vlorës me ujë. Problemet nuk kanë të sosur në këtë sezon për qytetin bregdetar, herë dritat e herë uji, ndërsa për këto shkaqe vihet re se numri i turistëve për këtë sezon është përgjysmuar. Pak ditë më parë në Zvërnec u vodhën 200 metra kabllo. Por një ditë pas zëvendësimit të saj, persona të paidentifikuar kanë vjedhur 800 metra të tjera me qëllim për ta shitur. Për pasojë, prej 24 orësh kjo zonë është prapë pa drita, ndërsa i gjithë qyteti i Vlorës pa sinjal televiziv. Probleme me dritat pati edhe në lagjen Çole po për shkak të vjedhjes të kabllove elektrike. Banorët u detyruan ta blejnë vetë për të mos u munguar energjia. q.b