E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthime në Prishtinë, UÇK ‘sulmon’ qeverinë

 

Prishtina është tronditur dje nga një shpërthim bombe përpara selisë së qeverisë së Kosovës, e cila e konsideroi sulmin nga ana e individëve të caktuar me motive politike dhe antishtetërore. Qeveria ka vlerësuar se sulmi është i dënueshëm dhe do ta marrë ndëshkimin e merituar ligjor dhe qytetar. Shpërthimi ndodhi gjatë protestës së ish-pjesëtarëve të UCCK-së. Vesel Aruçi, anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, e pranon se kanë hedhur mjete eksplozive. Ai deklaroi për gazetën prishtinase “Express” se “Ajo ishte mënyra jonë e revoltës, pasi nuk na janë përgjigjur në kërkesat tona. Menjëherë pas gjuajtjes së mjeteve shpërthyese kanë filluar lëvizjet e qeveritarëve, kështu ne do të vazhdojmë deri në përmbushjen e kërkesave”, tha Aruçi. Ai shtoi se grupi i protestuesve ka vendosur që të mos dalë në rrugë, por të përdorë forma të tjera të cilat për momentin nuk do t’i zbulojnë. Në reagimin e qeverisë thuhet se është e drejtë e garantuar e çdo individi dhe grupi qytetar që të protestojë për çështje të ndryshme, por askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Qeveria potencoi se askush nuk ka të drejtë dhe nuk do t’i lejohet që t’i sulmojë institucionet e Republikës së Kosovës, të ndërtuara me gjak, djersë dhe mund të së gjithë qytetarëve të vendit tonë. Ish-pjesëtarët e UÇK-së hodhën koktej molotovi dhe dy mjete eksplozivi në oborrin e qeverisë, të pakënaqur me statusin e tyre social. Policia e Kosovës është duke pritur urdhrin nga prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë për arrestimin e të dyshuarve për hedhjen e bombave në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›