E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çdo ditë në QSU, 60 raste me grip derrash”

 

Shtohet me ritme galopante numri i të prekurve nga gripi i derrave. Përtej deklaratave të zbutura të Ministrisë së Shëndetësisë, shifra të ”frikshme” raportohen nga drejtoria e spitalit ”Nënë Tereza”. Por, për fat të mirë pjesa më e madhe e qytetarëve e kanë kaluar gripin e derrave lehtshëm dhe pa komplikacione. Dje, gjatë një komunikimi me mediat drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, bëri me dije se në spitalin infektiv paraqiten çdo ditë 50-60 raste me shenjat e gripit të derrave. Sipas Dashit, QSUT i ka trajtuar të gjitha rastet, ndërsa është e gatshme të përballojë fluksin edhe në rast epidemie. Mesatarisht, nga 18 raste në ditët e para, në 50 deri 60 raste në ditët e mëvonshme dhe deri në 110 raste në ditët në vazhdim. Drejtoria e QSUT-së është e gatshme të përballojë sipas evolucionit të dinamikës së gripit A/H1N1, raste të tjera të sëmundjes konform planit të emergjencës, që parashikon edhe faza C e saj. Kjo fazë përfshin vënien në dispozicion të mjaft shtretërve në të gjitha pavijonet e ndërtesës së shërbimit infektiv. Deri tani, situata është përballuar mirë në të gjitha drejtimet“, shpjegoi Dashi. Ndërkaq, sipas shefit të shërbimit infektiv në QSUT, Dhimitër Kraja, situata sërish nuk është alarmante. Javën e fundit sipas Krajës, janë paraqitur 5 raste të rënda, ku katër prej tyre tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. “Rreth 10-15% e rasteve që paraqiten çdo ditë shtrohen. Prej tyre raste të rënda ose shumë të rënda janë një përqindje shumë e vogël 0.2-0.5%. Javën e fundit kemi pasur, rreth 5 raste të rënda. Tashmë, 4 prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njëri prej tyre është ende në kurim”, shprehet doktori Dhimitër Kraja. Në shërbimin infektiv prej ditësh ka nisur të funksionojë njësia e emergjencës, ku trajtohen rastet me gripin A/H1N1, njësi e cila ka lehtësuar trajtimin në kohë të shumë rasteve me forma të theksuara të virozës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›