E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet pakti detar me Greqinë

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e socialistëve për kufirin detar me Greqinë. Në mbledhjen e djeshme të nëntë anëtarëve të saj, Gjykata vendosi në këtë mënyrë pezullimin e miratimit të marrëveshjes së kufirit në parlamentin shqiptar deri në përfundim të shqyrtimit të saj. Me një rezultat, 5 me 4 vota në favor të pranimit të kërkesës së socialistëve, gjykata e kaloi atë në seancën gjyqësore dhe do të nisë shqyrtimin e objektit të kërkesës në 8 dhjetor. “Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në datë 26.11.2009, mori në shqyrtim paraprak kërkesën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Partisë Social-Demokrate, Partisë Demokracia Sociale, Partisë Demokristiane, Partisë “Ligj dhe Drejtësi”, Partisë G99, me objekt: “Shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e bërë dje nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, vetëm kërkesa e Partisë Socialiste plotësonte bazën ligjore mbi të cilën gjykata Kushtetuese mund ta pranojë dhe kalojë për shqyrtim atë. “Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese çmon se, bazuar në nenin 31 të Ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë”, shprehen gjyqtarët në vendimin e tyre. Duket se statutet e partive të tjera, përveç atij të PS-së, nuk përfshinin në përmbajtjen e tyre ruajtjen e sovranitetit territorial të vendit, mbi të cilin gjykata kushtetuese do të legjitimonte interesin e partive për t’iu drejtuar asaj. Pas disa mbledhjesh të cilat kanë kaluar me debate të shumta, gjykata vendosi dje, “kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare me subjekt kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë, rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese, pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar dhe mbledhjen e seancës plenare më datë 8 dhjetor 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›