”Pavarësia dhe integrimi”, UT mbledh konferencën shkencore
Universiteti i Tiranës organizoi dje konferencën shkencore me temë “Pavarësia dhe Integrimi”. Rektori Dhori Kule vendosi theksin mbi rëndësinë e shkollimit dhe momentet historike që kalon çdo komb. Gjatë kësaj konference,referuan pedagogë të departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës. Zëvendësdekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. dr. Valentina DUKA mbajti kumtesën me temë “Shpallja e pavarësisë dhe vendi i saj ne historinë e shtetit shqiptar”, ndërsa Prof. assoc. dr. Petrit Nathanaili, referoi mbi “Shqipëria dhe Integrimi Evropian” dhe MA. Artan Hoxha, me temën “Shqipëria dhe NATO”. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, prof. Dr.Shezai Rrokaj vendosi theksin mbi arsimin shqiptar, me anë të referatesh me temë “Arsimi i larte shqiptar ne sfidën e Integrimit Evropian”. Ndërsa Prof.assoc.dr. Lorenc Bejko referoi temën “Trashëgimia dhe Integrimi”.Po dje Universiteti publik i Tiranës dhe Universiteti Evropian i Tiranës, nënshkruan një marrëveshje 5 vjeçare për shkëmbimin e pedagogëve. ”Të dyja palët, sipas kushteve dhe mundësive, do të shkëmbejnë lektorë për dhënie leksionesh në lëndët që ato do t’i gjykojnë me interes të përbashkët.”,thuhet në këtë dokument. Gjithashtu të dyja palët, sipas kushteve dhe mundësive, do të shkëmbejnë botime akademike apo periodike. ”Të dyja palët do të ndihmojnë njëra tjetrën në kualifikimet e stafit pedagogjik të njëra tjetrës, nëpërmjet organizimit të seminareve trajnuese apo udhëheqjes shkencore për përgatitje dhe mbrojtje mikrotezash”,nënvizon marrëveshja. Të dyja palët, në kuadrin e shkëmbimit të përvojës pedagogjike e akademike do t’i dërgojnë njëra tjetrës programet dhe planet e tyre mësimore, dhe sipas kushteve dhe mundësive do të bëjnë shkëmbimin e studentëve.