E Diel, 1 Nëntor 2026

Datat dhe dokumentet për të aplikuar në Part-time

 

zirina llambro

Kandidatët që duan të ndjekin studime part-time do të kenë një javë kohë për të aplikuar pranë fakulteteve. Ministria e arsimit me anë të një udhëzimi të posaçëm ka përcaktuar datat dhe dokumentet e nevojshme. ”Aplikimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të zhvillohet nga data 2.12.2009 deri në datën 8.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore ”,thuhet në udhëzim. Ndërkaq, në të saktësohet se fituesit do të shpallen brenda datës 14 dhjetor. Për të shmangur abuzimet, MASH ka saktësuar se regjistrimi i fituesve do të bëhet vetëm me dëftesën origjinale të shkollës së mesme. Kjo, pas eksperiencave të viteve të mëparshme ku u konstatuan persona që ndiqnin dy fakultete paralelisht. Pranë sekretarive mësimore kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet përkatëse. Ajo duhet të përmbajë Fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të. Gjithashtu, duhet një dokument identifikimi ( certifikatë, lindje me fotografi, kartë identiteti ose pasaportë), 2 fotografi dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. Përpos kësaj është e nevojshme  dhe deklarata që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. “Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale, Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme lëshuar nga Arkivi i Shtetit”, saktëson udhëzimi. Sipas tij, kandidatët që do të aplikojnë për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore diplomën e lëshuar nga një Institucion i Arsimit të Lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar).Po dje ministria e Arsimit, ka dhënë një sqarim mbi tarifat e shkollimit të cilat këtë vit janë bërë me një formë të re kalkulimi. Sipas specialistëve ato janë vendosur mbi bazën e krediteve. Çka do të thotë që shumat e caktuara nga qeveria nuk janë për një vit akademik, por për 180 kreditë të nevojshme për gjithë ciklin e studimeve që zgjat 3 vjet. ”Pra është caktuar pagesa për një kredit, për të përmbyllur gjithë ciklin duhen 180 kreditë,por studenti ka të drejtë që në vitin e parë të marrë lëndë që kanë më pak kreditë dhe për rrjedhojë nëse nuk ka mundësi paguan me pak. Ndaj mbi bazën e kësaj skeme nuk kemi rritje të tarifave për part-time por thjesht një llogaritje të re të tyre.  Pagesat mbeten në të njëjtat nivele,për të mos thënë që për disa degë kanë pësuar ulje”,sqarojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›