E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 1500 të vdekur në listat e votimit

GJIROKASTËR- Rreth 1500 persona të vdekur në listat zgjedhore në dy prej komunave të banuara nga popullsi minoritare greke në rrethin e Gjirokastrës, do vazhdojnë të mbeten atje përgjithmonë. Kjo pasi, detyrimi ligjor që familjarët bëjnë çregjistrimin e të afërmve të vdekur nuk mund të zbatohet për asnjë prej këtyre rasteve. Pas studimit të këtyre listave dhe pas verifikimeve të shumta është bërë e ditur se këta shtetas kanë vdekur në kurbet dhe kësisoj vdekja e tyre nuk mund të vërtetohet as me rrugë gjyqësore në Shqipëri, pasi për të bërë një verifikim të tillë duhen dokumente dhe fakte nga vendet e largëta të kurbetit, aty ku kanë emigruar dhe vdekur dekada më parë këta shtetas. Në këtë mënyrë, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare, listat zgjedhore dhe pasaktësitë e tyre vazhdojnë të mbeten problem për punonjësit e zyrave të gjendjes civile në komunat e Dropullit të Sipërm dhe Dropullit të Poshtëm. Informacionet e marra pranë këtyre zyrave bëjnë të ditur se në komunën e Dropullit të Sipërm janë rreth 800 persona të vdekur në mënyrë natyrale, por të gjallë në bazë të dokumentacionit ligjor shqiptar dhe fshatrat më të prekur janë Sotirë, Bularat dhe Kakavijë. Ndërsa në komunën e Dropullit të Poshtëm listat e zgjedhësve përmbajnë rreth 700 persona të vdekur prej dhjetëra vitesh kryesisht në regjistrat e fshatrave Dhuvjan, Goranxi e Dervician.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›