E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH merr mbi vetë disa kapitale nga KESH-i



Qeveria miratoi dje disa ndryshime dhe shtesa në VKM-në “Për krijimin e shoqërisë “Operatori i sistemit të shpërndarjes”, sh.a.”. Në bazë të këtij vendimi disa kapitale që janë investuar nga kreditë e marra nga KESH-i i kalojnë OSSH-së, duke rritur kështu vlerën e aseteve të saj. Në bazë të këtij vendimi në fund të pikës 5 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Nga ky rregull bëjnë përjashtim kreditë, ndërmjet KESH sh.a.-së dhe Bankës Evropiane të Investimit, në shumën 2,3 (dy presje tre) miliardë lekë dhe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, në shumën 2,68 (dy presje gjashtëdhjetë e tetë) miliardë lekë, sipas specifikimeve, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, detyrimet e të cilave nuk do t’i transferohen OSSH, sh.a.-së”.

Po kështu pas pikës 5/2 shtohen pikat 5/3, 5/4 e 5/5, me këtë përmbajtje: “5/3. Asetet e financuara nga kreditë afatgjata, të përfunduara gjatë vitit 2008, nga KESH, për OSSH, në shumën 1,1 (një presje një) miliardë lekë, t’i transferohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe të regjistrohen në pronësi të këtij operatori. Sipas vendimit, autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ta pasqyrojë këtë transferimin në formën e uljes së kapitalit të KESH dhe të rritjes së kapitalit të OSSH, përkatësisht në vlerën e përcaktuar më lart.

Detyrimet afatshkurtra, për blerjen e energjisë elektrike dhe tarifën e transferimit, që OSSH ka, respektivisht, ndaj KESH dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), deri në shumën 1 (një) miliard lekë, të shuhen dhe të pasqyrohen si rritje kapitali e OSSH. Autorizohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të kryejë veprimet e nevojshme, për pasqyrimin e këtij veprimi.

Ndërkaq, shuma prej 0,53 (zero presje pesëdhjetë e tre) miliard lekë, që i korrespondon pagimit të huave afatgjata, në vitin 2008, nga KESH, të pasqyrohet si rritje kapitali për OSSH.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›