E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: Vendimet e qeverisë, krizë në sektor

Shoqata e Ndërtuesve: Vendime absurde të qeverisë po bllokojnë aktivitetin e ndërtimit
"Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, ku shkalla e mekanizimit ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe varion nga një shoqëri në një tjetër, përfshi këtu edhe kostot, është absurde të pretendosh të kesh çmime të fiksuara".
Ndërtuesit i kanë vlerësuar vendimet e marra nga ana e qeverisë gjatë vitit 2007 si bllokuese deri në absurd për aktivitetin e ndërtimit, si dhe kanë marrë masa që pengojnë e vështirësojnë punën në këtë sektor. Ndërtuesit nga ana e tyre bëjnë të ditur se kërkesat e bëra i janë dërguar qeverisë, por deri tani nuk ka pasur asnjë përpjekje për zgjidhjen e këtyre problemeve, që kanë sjellë kolaps në sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë. Kështu, ndërtuesit kanë kërkuar të shfuqizohet dispozita ligjore sipas të cilës, shpenzimet e shoqërive të ndërtimit për shërbime të ndryshme ndërtimi, të blera nga tatimpagues të biznesit të vogël, janë shpenzime të panjohura. "Është e padrejtë që një tatimpagues i cili nuk plotëson volumin e qarkullimit prej mbi 8 milionë lekësh në vit, të detyrohet në mënyrë arbitrare për t'u regjistruar si Biznes i Madh i TVSH-së. Kjo do të thotë që forma e organizimit të biznesit të diktohet nga administrata tatimore, gjë që bie ndesh me parimet bazë të demokracisë",- deklarojnë ndërtuesit. Sipas ndërtuesve kjo është me pasoja për rritjen e informalitetit në sektorin e ndërtimit, pasi bizneset e vogla, si bojaxhinj, hekurkthyes, shtrues pllakash, hidraulikë, elektricistë, etj., do të tentojnë për të punuar në mënyrë informale. Një nga vendimet e tjera që është kundërshtuar nga ana e ndërtuesve, është vendimit i qeverisë që detyron shoqëritë private të ndërtimit të zbatojnë manualin e preventivit dhe të çmimeve të miratuara. "Ne mendojmë se një manual i tillë mund të ketë vlerë vetëm për kontrollin e punëve publike, por në asnjë mënyrë për kontrollin e punëve private",- sqarojnë ndërtuesit. "Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, drejt të cilës po shkon vendi, ku shkalla e mekanizimit ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe varion nga një shoqëri në një tjetër, përfshi këtu edhe kostot, është absurde të pretendosh të kesh çmime të fiksuara",- thonë ndërtuesit. Ndërtuesit kërkojnë gjithashtu që të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, që sipas vendimit të fundit ata duhet të paguajnë edhe për sipërfaqet e ndërtimit të destinuara për pronarët e truallit. Dy vendime të tjera, të marra gjatë 6 mujorit të dytë nga qeveria, kanë sjellë kosto të mëdha për t'u përballuar nga sektori i ndërtimit. "Ne jemi kundër Udhëzimit të Ministrit të Financave ,për heqjen e të drejtës së kreditimit të TVSH-së për karburantet. Heqja nga ministri i Financave në mënyrë të njëanshme e kësaj të drejte, në kushtet aktuale të krizës energjetike, do të nxisë veprime korruptive dhe do të krijojë barriera të rënda administrative, që çon në faliment shoqëritë e prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe ato të infrastrukturës",- deklarojnë ndërtuesit. Gjithashtu, ligji për vendosjen e pagave referuese dhe ligji i famshëm i gjobave, janë vlerësuar nga ana e Shoqatës së Ndërtuesve si arbitrare dhe absurde. "Këto ligje po çojnë kompanitë drejt falimentimit, duke nxitur edhe skemat e ndryshme të preferencave dhe korrupsionit nga ana e tatimorëve",- deklarojnë ndërtuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›