ERE: Do rrisim çmimin e energjisë në mars
Enti Rregullator i Energjisë do pranojë kërkesën e KESH për rritjen e çmimit
Çmimet e rritura të energjisë në muajin mars, kërkohet rritje e çmimit mesatar me 37%
Rritja e çmimeve të energjisë, vjen në një kohë që ende nuk ka një deklaratë nga ana e KESH se sa do të jenë orët e territ në vitin 2008. KESH kërkoi që të ketë një rritje të çmimit mesatar për klientët mesatarisht me 37 për qind dhe një rritje çmimi për bizneset nga 50-100%.
Çmimet e energjisë do të rriten për të gjithë konsumatorët në muajin mars dhe një masë e tillë është e pashmangshme, sipas Entit Rregullator të Energjisë. ERE ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, në një kohë që rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare ka qenë e lartë dhe KESH ka importuar në 2007 një sasi rekord prej 2.7 miliardë kilovat/orësh, vendimi për të rritur çmimin është i domosdoshëm. Rritja e çmimeve të energjisë, vjen në një kohë që ende nuk ka një deklaratë nga ana e KESH se sa do të jenë orët e territ në vitin 2008. KESH kërkoi që të ketë një rritje të çmimit mesatar për klientët mesatarisht me 37 për qind dhe një rritje çmimi për bizneset nga 50-100%. Drejtori i Përgjithshëm i ERE, Bujar Nepravishta, ka bërë të ditur edhe arsyet pse ky institucion shtyu rritjen e çmimeve. "Në vitin 2008 pritet që të privatizohet sistemi energjetik i shpërndarjes. Në këto kushte, sistemi i prodhimit dhe ai i shpërndarjes do të operojnë në mënyrë të pavarur dhe duhet të ketë një strategji që duhet të konvergojë përsa i përket çmimeve, pasi midis dy sistemeve do të ketë transaksione përsa i përket shitje-blerjes së energjisë. Ky është edhe faktori i parë që ERE duhet të marrë parasysh në përcaktimin e çmimit të energjisë që do t'u shitet konsumatorëve përfundimtarë",- ka sqaruar Nepravishta.
Çmimi, energjia tejet e shtrenjtë
Rritja e çmimit të energjisë, propozuar nga KESH, është tejet e lartë dhe për këtë do ketë një studim të mirëfilltë. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ana e Kryetarit të Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta. Sipas tij, "KESH ka operuar me treguesit e krizës të madhe që ka qenë gjatë këtij viti dhe në kërkesën e bërë për rritje çmimi ka marrë parasysh këtë situatë dhe ne mendojmë se kjo kërkesë duhet që të rishikohet". Gjatë pjesës dërrmuese të këtij viti, raportet energji e importuar ndaj asaj të prodhuar në vend kanë qenë në favor të importit. Në këto kushte, çmimi mesatar i importit të energjisë mbetej në nivele të larta. Por në kushtet aktuale, kur Fierza ka arritur në rreth 280 metër mbi nivelin e detit, ERE mendon se çmimi mestar i energjisë ka pësuar një rënie të konsiderueshme.