E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, festa më e rëndësishme se ndeshja

19/05/2005  Tirana do të festojë nesër në mbrëmje, titullin e 22-të kampion në historinë e saj. Bardheblutë do të luajnë ndeshjen e fundit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, nën dritën e prozhektorëve. Por tema e ditës, në ambientin e bardhebluve duket se është trajneri Sulejman Starova. Ai konfirmon faktin se ka një kontratë me Tiranën dhe ka dëshirën e mirë për të qëndruar në këtë skuadër, por shton se gjithçka, lidhur me të ardhmen dhe për sezonin që vjen do të vendoset nga donarët, të cilët do të thonë edhe fjalën e fundit. Pas një sezoni të gjatë me ulje-ngritje, Tirana pritet të festojë sot, titullin e 22-të kampion. Bardheblutë kanë triumfuar mbi Elbasanin, i cili ka qenë edhe kundërshtari i vetëm i Tiranës gjatë këtyre 35 javëve. Por, përballë në këtë ndeshje do të jetë Dinamo, e cila është një nga dy “macet” e zeza të Tiranës gjatë këtij viti, së bashku me Elbasanin. Megjithëse ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, Tirana përballë këtyre dy skuadrave e ka patur shumë të vështirë për të marrë pikë. Trajneri Starova u shpreh dje se cilido që të jetë përfundimi i kësaj ndeshjeje, bardheblutë do të festojnë dhe jo më kot, kjo ndeshje është programuar për t’u luajtur me drita. “Sidoqë të jetë rezultati i kësaj ndeshjeje, ne do ta festojmë, megjithëse kampionati praktikisht mbaron si në të gjithë botën, në ditën, kur e fiton matematikisht atë. Një fenomen i tillë ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që skuadra që del kampione të ketë kritika kaq të mëdha. Nuk besoj se ka ndonjë interes të dihet cili do ta fitojë dhe cili do ta humbë këtë ndeshje”, u shpreh Starova. A. Manallari

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›