Vieri “pret” biletën e finales
19/05/2005 Ashtu siç pritej, Interi ka arritur kualifikimin në finalen e Kupës së Italisë, pasi ka eliminuar Kaljarin. Pas barazimit 1 : 1 në ndeshjen e parë, Interi ishte me të drejtë favorit dhe në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar dje pasdite, nuk i ka lënë shpëtim skuadrës sarde, duke fituar me rezultatin 3 : 1. Pjesa e parë është dominuar krejtësisht nga skuadra zikaltër, që luan shumë më mirë se Kaljari dhe kalon në avantazh në minutën e 26-të me anë të Vierit, i cili luan që nga minuta e parë së bashku me nigerianin Martins, ndërsa Adriano ulet në stol. Përveç golit, Interi krijon edhe shumë raste të tjera, që mund ta thellonin avantazhin, ndërkohë që Kaljari mendon vetëm për t’u mbrojtur. Në pjesën e dytë Kaljari përpiqet të reagojë, por është përsëri Vieri që shënon në minutën e 57-të. Miqtë rihapin takimin vetëm 9 minuta më vonë me anë të Lopez, por Interi kontrollon pa problem dhe në minutën e 91-të vulos kualifikimin me anë të Martins. Zikaltrit sigurojnë finalen dhe tashmë janë në pritje të kundërshtarit, që do të përcaktohet sot në mbrëmje.