Krimet e Rënda: Duam më shumë kompetenca për gjykim
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda mori dje vlerësime jo vetëm nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, por edhe nga zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe përfaqësues të tjerë që ishin ftuar në analizën e punës për vitin 2008. Në të njëjtën kohë gjyqtarët e kësaj gjykate shfrytëzuan analizën për të kërkuar më shumë kompetenca si gjykatë. Sipas tyre, kjo gjykatë, për shkak të numrit të pakët të dosjeve, duhet të ketë edhe vepra të tjera penale në juridiksionin e saj. Veprat të cilat u hoqën pak muaj pasi ajo nisi të funksiononte si strukturë më vete e Gjyqësorit. Ky pretendim, u kundërshtua jo vetëm nga ministri i Drejtësisë, por edhe nga kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Olsi Çela. Edhe ministri Alibeaj, edhe prokurori Çelaj ishin të një mendimi, se rritja e numrit të çështjeve për të gjykuar do të ndikonte në uljen e cilësisë së gjykimit. Problem për gjykatën ishte dhe mungesa e pajustifikueshme e avokatëve, duke sjellë një kosto të lartë për procesin gjyqësor. Sipas kryegjyqtarit Dritan Hallunaj, me gjithë relacionet që i janë dërguar Dhomës së Avokatisë, sërish asnjë nuk është marrë parasysh për të ndërmarrë ndonjë masë disiplinore.
Gjovalin Përnocaj: “Gjyqtarët duhet të kenë status”
Analiza e djeshme në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda ishte më e larmishme se ajo e Shkallës së Parë. Kryetari Gjovalin Përnocaj, pasi bëri rezymenë e punës së një viti të gjykatës që drejton, nuk harroi të shprehte dhe kërkesat e trupës gjyqësore që përfaqëson. Sipas tij, gjyqtarëve duhet t’u ofrohen më tepër kushte sigurie dhe t’u vendoset një status për të përfituar si të gjitha kategoritë e tjera që kanë vështirësi në punë. Sakaq, nuk munguan dhe sugjerimet nga gjyqtarët mbi çështje të ndryshme që i vuan sot Gjyqësori. Gjyqtarët e Apelit për Krimet e Rënda u shprehën dje se akti i fundit i miratuar nga KLD-ja mbi procedurat e shortit është jo i plotë. Një prej gjyqtarëve të kësaj gjykate, Sokol Binaj, u shpreh se urdhri në këtë rast ishte përgjithësues, ndërkohë që duhet të jetë i detajuar. Ndërsa gjyqtari Dhimitër Lara e vuri në dijeni numri dy të KLD-së, Spahiu, se në Gjykatën e Apelit të Tiranës kryetari shkel çdo ditë ligjin, duke mos zbatuar kompetencat që i takojnë mbi caktimin e seancës pas shortit.
Kristo: “Në Shqipëri zbatimi i ligjit është problem edhe për institucionet”
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, është shprehur në një intervistë se në Shqipëri jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet, kanë ende një kulturë të ulët demokratike për zbatimin e ligjit. “Këtu ka një kontradiktë realisht midis nivelit jashtëzakonisht të mirë të hartimit të legjislacionit shqiptar, të përqasjes së këtij legjislacioni me legjislacionin e komunitetit europian, por problemi kryesor mbetet në zbatimin e këtij ligji e të gjithë këtij kuadri ligjor. Për mendimin tim, kjo lidhet jo vetëm me cilësinë e hartimit të legjislacionit, i cili lë për të dëshiruar, por lidhet edhe me kulturën ende të ulët demokratike në qëndrimin që kanë institucionet përgjegjëse dhe qytetarët ndaj ligjit”, - është shprehur Kristo.
14 Shkurt 2009