E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët, të pambrojtur nga përgjimet e paligjshme

Vetëm në Tiranë gjykatat kanë urdhëruar në një vit 1300 përgjime. Fakti u pohua dje në analizën e Gjykatës së Krimeve të Rënda

Laureta Rryçi

Asnjë shqiptar nuk ka siguri nëse përgjohet me të drejtë ose jo. Përgjimet, që bëhen me kërkesë të Prokurorisë dhe me vendim të gjykatave, deri tani nuk janë monitoruar nëse është zbatuar drejt procedura ligjore. Sakaq, shifrat tregojnë se 1300 përgjime janë “bekuar” vetëm nga dy gjykatat e Tiranës, ndërsa për të gjithë vendin kjo shifër është shumë herë më e lartë.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shpreh dje në analizën në Gjykatën e Krimeve të Rënda se ka informacione për përgjime që po shkelin të drejtat e njeriut. Sipas tij, për shkak të procedurës ekzistuese që ndiqet, nuk garantohet nëse është vënë në përgjim qoftë edhe ndonjë person që gëzon imunitet dhe që do të shkaktonte një skandal të madh. Si zgjidhje Spahiu propozoi se ka ndër mend që Këshilli që ai përfaqëson t’i monitorojë këto 500 vendime që janë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Po kështu ai shpjegoi se duhen bërë ndërhyrje në ligjin që rregullon pikërisht procedurën e përgjimeve.
Përgjimet
Sipas procedurës, prokurori, kur kërkon përgjime, sjell në gjykatë vetëm numrin, duke mos dhënë detaje të tjera se kujt i përket ky numër. Ndërsa vitet e fundit janë lëshuar qindra vendime për lejimin e përgjimeve, përveç kostos që paguan shteti, askush nuk mund të pohojë se për këto përgjime nuk ka pasur shkelje. Informacionet që kanë mbërritur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duket se kanë dhënë alarmin për të vënë në lëvizje këtë strukturë të monitorojë procedurën që është ndjekur për këto përgjime.
Metoda
Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrolluara nga prokurori i rrethit. Komunikimet e përgjuara regjistrohen dhe për veprimet e kryera mbahet procesverbal. Në procesverbal transkriptohet përmbajtja e komunikimeve të përgjuara. Procesverbalet dhe regjistrimet i dorëzohen menjëherë prokurorit dhe brenda pesë ditëve nga mbarimi i veprimeve ato depozitohen në sekretari, bashkë me aktet që kanë urdhëruar, autorizuar, vleftësuar dhe zgjatur përgjimin. Kur nga depozitimi mund të dëmtohen hetimet, gjykata autorizon prokurorin që ta shtyjë depozitimin deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Mbrojtësit dhe përfaqësuesit e palëve lajmërohen menjëherë për depozitimin në sekretari dhe për të drejtën që kanë për të shqyrtuar aktet e për të dëgjuar regjistrimet. Gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe mbrojtësit, vendos për heqjen e regjistrimeve dhe të procesverbaleve, përdorimi i të cilave ndalohet. Gjykata urdhëron transkriptimin e plotë të regjistrimeve që duhen marrë. Transkriptimet futen në fashikullin e gjykimit. Mbrojtësit mund të nxjerrin kopje të transkriptimeve.

Boc

Rregullat e ligjit. Kur përgjohemi
Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës, që refuzon kërkesën, mund të bëhet ankimim i veçantë. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t'u vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata, brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit, bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t'i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda. Për kryerjen e përgjimit prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të Policisë Gjyqësore. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin e mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›