E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit zvarrisin punimet. Qeveria vendos kushte

Qeveria do vendosë kushte për kompanitë dhe firmat e ndërtimit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministrit Berisha deklaroi se ato firma të cilat nuk realizojnë ne masën 70% kontratat ekzistuese nuk do të marrin pjesë në tendera publike. 

TIRANE- Firmat shqiptare të ndërtimit të angazhuara në realizimin e veprave publike nuk do të marrin pjesë në asnjë tender të qeverisë, në rast se nuk realizojnë 70 për qind të kontratës ekzistuese. Vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave, kryeministri Berisha e komentoi si një përpjekje për të përshpejtuar punimet në projektet e rrugëve, të ciulat zvarriten pasi ndërtuesit nuk investojnë për teknologjinë dhe zgjerimin e stafit.

“Nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në tendera kompanitë që nuk kanë përfunduar 70% të kontratës së mëparshme. Shumë prej tyre paratë i marrin në banka dhe puna zvarrit. Duhet të blejnë makineritë dhe të fuqizojnë stafet”- u shpreh kreu i ekzekutivit Berisha.

Kryeministri Berisha i është rikthyer edhe njëherë shifrave të rritjes ekonomike e cila sipas INSTAT-it për tremujorin e parë të këtij viti ka qenë 6 për qind. Sipas kreut të qeverisë ky tregues do të jetë edhe më i lartë gjatë tremujorëve të ardhshëm duke dëshmuar se ekonomia jonë po i përballon efektet e krizës globale me pasoja minimale.

“Për kënaqësinë e të gjithëve dhe në veçanti të ministrit të Financave, i cili ka qenë profetik në parashikim e rritjes. Dy tremujorët e tjerë mars-qershor dhe qershor-shtator janë qartësisht shumë më optimiste”- tha Berisha.
Qeveria ka miratuar edhe dhënien e tokës publike për ndërtimin e shkollave private. Sipas kryeministrit Berisha kjo është një mënyrë për të shtuar burimet e financimit në arsim.
Dy vendimet e tjera të marra nga Këshilli i Ministrave kanë qenë: miratimi i procedurave të rregullave për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit mbikëqyrës e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile dhe miratimi i statutit të kësaj agjencie. Sipas kreut të qeverisë në këtë mënyrë forcohet roli i shoqërisë civile në oponencën që i bën ekzekutivit, kryesisht përsa i përket korrupsionit. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›