E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja Egjipt - Algjeri nis me dhunë

Pragsfida mes Egjiptit dhe Algjerisë, në program sot në mbrëmje në Kajro, ka nisur me plagosjen e të paktën 3 futbollistëve të kombëtares algjeriane nga goditja me gurë e tifozëve vendas. Autobusi i Algjerisë u godit me gurë nga të paktën 200 vetë pas mbërritjes në kryeqytetin egjiptian, duke bërë që tensioni në prag të ndeshjes të arrijë kulmin. Takimi i sotëm do të vendosë se cila skuadër do të shkojë në Botërorin e Afrikës së Jugut, ndërkohë që është i njohur rivaliteti mes dy vendeve të Afrikës Veriore.

Në një video të regjistruar nga një prej lojtarëve algjerianë dëgjohen gurët që godasin dritaret e autobusit. Gjithçka ndodhi pas mbërritjes në hotelin e skuadrës, duke shkaktuar një moment paniku në radhët e përfaqësueses mike. Në fillim shumë egjiptianë bënë të ditur se sulmi kishte ndodhur nga tifozët algjerianë, të cilët dëshironin që ndeshja të shtyhej dhe të luhej në një fushë asnjanëse. Takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë për të dy vendet. Egjipti ka nevojë për një fitore 2-0 për të shkuar në plejof. Algjeria nuk shkon në Botëror që prej vitit 1986, ndërsa Egjipti që prej 1990-tës.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›