E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja e Superkupes mes Skenderbeut e Tiranes me publik te barabarte

Do të ketë edhe publik bardhekuq, por edhe bardheblu finalja e Superkupës së Shqipërisë që do të zhvillohet të enjten në Korçë. Në ndeshjen që pritet të nisë në orën 20:00, përveç masës së madhe të tifozëve vendas të Skënderbeut, pritet të ketë po ashtu shumë tifozë të Tiranës, megjithë rrugën e gjatë që duhet bërë për të përshkuar distancën mes dy qyteteve.

Që pasi u vendos me short që Superkupa të luhej në juglindje të Shqipërisë, grupimi i tifozëve “Tirona Fanatics” protestoi ndaj drejtuesve bardheblu, duke kërkuar gjysmën e biletave, sipas rregullave për një ndeshje në fushë asnjanëse.

Presidenti Halili dhe shefi i klubit, Dimraj kërkuan dhe arritën që të merrnin gjysmën e stadiumit për të zbatuar rregullat dhe për të respektuar tifozët e tyre. Mes palëve duket se është arritur edhe ky akord dhe mbetet të shihet sesa do të jetë e mundur që tifozët bardheblu të mbushin tribunat e lëna enkas për ta.

Pragu i kësaj ndeshjeje ka qenë i nxehtë, me shumë deklarata e kundërdeklarata ku secila palë ka hedhur në “tryezë” argumentet e saj. Bardheblutë janë mbështetur tek tradita dhe trofetë e shumtë, ndërsa bardhekuqtë tek aktualiteti, pasi ata janë kampionët në fuqi të Shqipërisë. Kështu, mbrëmja e së enjtes do të përcaktojë fatin e trofeut të parë të futbollit në vend, ndërsa sezonit po i merren këmbët ende pa filluar. Superkupa shqiptare do të dorëzohet vetëm pak orë pasi të dorëzohet ajo spanjolle në “Kamp Nou”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›