E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenis/Turneu i Torontos Serena Uilliams u kthehet fitoreve

Nga buza e greminës ajo nisi një kthesë që mund ta çojë sërish në majë. Serena Uilliams fitoi finalen e turneut të Torontos në Kanada, ndaj patriotes së saj amerikane, Samanta Stosur, duke arritur një tjetër sukses në një karrierë që mendohej si e shuar. Motra më e vogël Uilliams pati disa vështirësi në setin e parë, të cilin e fitoi pas shumë përpjekjesh 6-4, por nuk ndodhi kështu në të dytin, ku ajo dominoi nga fillimi në fund. Rezultati 6-2 flet vetë dhe suksesi me 2 sete është shumë emocionues për një teniste që ka fituar në jetën sportive plot 13 tituj të Çmimeve të Mëdha.

Serena e nisi turneun në Toronto duke u ndodhur në vendin e 189-të në botë, një renditje jashtëzakonisht e ulët për një emër kaq të madh që ka ditur të triumfojë në Uimbëlldon, Paris, Australi dhe në Turneun e Hapur në Nju Jork. Atletja e fuqishme 29-vjeçare ka arritur t’i fitojë të katër Çmimet e Mëdha të një viti, një ndër të paktat teniste në histori me një sukses të tillë.

Ky sukses kanadez mund ta ndihmojë Serena Uilliamsin që të arrijë renditjen e duhur për të marrë pjesë në turneun e Çmimit të Madh në SHBA, turne që do të zhvillohet në Flashing Midous të Nju Jorkut nga 29 gushti deri më 11 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›