Mesfushori shqiptar kërkon t’i kthejë trofeun Sandërlendit pas 37 vitesh

Vit i ri, por me zakone të vjetra për Lorik Canën. Mesfushori shqiptar e ka nisur 2010-n në të njëjtën mënyrë si ka filluar edhe aventurën e tij të re në Angli: duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Sandërlendi fitoi ndeshjen e parë për këtë vit përballë modestëve të Barrou, duke u kualifikuar në raundin e katërt të FA Cup. Një trofe, të cilin 26-vjeçari kuqezi synon ta luajë deri në fund, në finalen që tradicionalisht zhvillohet në “Uembli”. “Macet e zeza” e kanë fituar këtë kupë plotë 37 vjet më parë, më saktësisht më 1973-shin dhe Cana mendon se skuadra ku ai mban shiritin e kapitenit e ka kualitetin që të shpresojë deri në fund.
Pas shortit të hedhur nga Federata Angleze, sfida e ardhshme e Sandërlendit do të jetë me fituesen e çiftit Portsmuth-Koventri Siti. Ai deklaroi: “Mendoj se kemi një skuadër të mirë, e cila mund të shkojë larg në këtë aktivitet. Nëse jemi në ditën tonë më të mirë, në sfidat vetëm me një ndeshje direkte, mund të mposhtim gjithkënd, pavarësisht nga emri i kundërshtarit. Duhet të japim më të mirën në FA Cup dhe të mundohemi të arrijmë sa më larg që të jetë e mundur. Nuk kam luajtur asnjëherë në ‘Uembli’ dhe do të më pëlqente ta provoja ndjesinë që të dhuron një stadium i tillë. Në të kaluarën jam shpallur fitues i Kupës së Francës, e ndoshta këtë arrij ta realizoj edhe në Angli. Shpresoj që së bashku me Sandërlendin të arrijmë deri në finale.
Aktualisht jemi në gjysmën e parë të klasifikimit në Premier League dhe i kemi të gjitha mundësitë që ta realizojmë këtë objektiv”. Si gjithmonë, problemi kryesor sa herë që flitet për Canën mbeten ndërhyrjet e ashpra dhe kartonët disa herë të pakuptimtë që lojtari merr. Kundër Barrou, mesfushori mori kartonin e shtatë të verdhë në këtë gjysmë të parë të sezonit (pa llogaritur dy kartonët e verdhë në sfidën me Aston Vilën ku u largua nga fusha përpara kohe). Shqiptari rrezikoi shumë në minutën e 20, pas një ndërhyrje brutale me të dyja këmbët ndaj portierit kundërshtar, Tim Deizi, por u ndëshkua për protesta. “Gjyqtari më ndëshkoi sepse gjuajta topin, por mendoj se ai vendim nuk ishte i drejtë.
Për mendimin tim, kartonin e verdhë e meritoja më shumë pas ndërhyrjes ndaj portierit kundërshtar”, theksoi Cana.