E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malko e stërvit rregullisht grupin, Kamza plot me dilema

Nga ILIR CARA

Kamza e këtij prag sezoni ka dy fytyra, ku në terren është një grup futbollistësh që nën drejtimin e trajnerit Sajmir Malko vijon rregullisht përgatitjet për sezonin e ri, por në antitezë me këtë punë, paqartësia ekzsiton në aspektin administrativ. Një javë para fillimit të kampionatit Kamza ka disa dilema për të zgjidhur, ku gjithçka varet se si do të shkojë problematika mes presidentit të skuadrës, Naim Qarri, dhe drejtuesve të  bashkisë. Për sa i përket këtij ngërçi me drejtuesve, çdo ditë që kalon kthen pas atë që thuhet një ditë më parë. Kur mendohet se palët janë shumë pranë afrimit, menjëherë situata kthehet në kahun e kundërt. Gjithsesi, ekipi që përgatit trajneri Malko i vijon rregullisht seancat stërvitore, ku në këto ditë është punuar shumë edhe me elementin e ri, i cili pritet të jetë prezent në radhët e Kamzës së sezonit të ri. Grupi që përgatit trajneri Malko ndihet gati në aspektin sportiv, por ata kanë bërë gati edhe dokumentacionin për tu federuar nga ana e presidentit Qarri në FSHF. Ndonëse stërviten me Kamzën disa nga futbollistët me eksperiencë të kamzalinjëve,  si kapiteni Fatjon Tafaj dhe portieri Mario Bytyçi rezultojnë të kërkuar nga ekipe të tjera. Kështu, java që vjen do të përcaktojë edhe destinacionin e këtyre lojtarëve me pozitë të lëkundur. Por edhe vetë presidenca e kamzës, që ka marrë përsipër ndërtimin e grupit që stërvitet nga trajneri Malko, ka mëdyshjet e saj, sepse qarkullojnë zëra se në rast se bashkia nuk hap dyert e stadiumit, në shenjë proteste ata nuk do të bojkotojnë startin e sezonit, ku dihet se Kamza e nis Kategorinë e Parë në transfertën me Butrintin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›