E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillim i ri për Suarezin

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez ka insistuar se ka lënë pas vetes problemet e edicionit të kaluar dhe synon një fillim të ri në sezonin 2012-13. Reprezentuesi uruguaian u përball me telashe të natyrave të ndryshme prej kur iu bashkua gjigantit nga Anfield Road në janar të vitit 2011 nga Ajaxi i Amsterdanit.

Ai ishte dënuar për tetë ndeshje pasi ishte shpallur fajtor për fyerje racore ndaj mbrojtësit të Manchester Unitedit, Patrice Evra në duelin e skuadrave në Premierligë. Por, kjo nuk e parandaloi atë nga vazhdimi i kontratës me Liverpoolin.

“Jemi futbollistë profesionistë. Ne luajmë futboll në fushë. Si cilido problem tjetër që mund të ketë dikush, ju duhet t’i lini ato pas vetes. Edhe Carlos Tevezi kishte probleme. Por, ai është person i pjekur dhe i ka tejkaluar ato. Ai është futbollist i shkëlqyeshëm dhe të gjithë në Angli kënaqen duke e shikuar duke luajtur”, deklaroi Suarez për mediet angleze.

“Kishte klube të interesuara për mua, por prioriteti im ishte qëndrimi në Liverpool. Jam shumë i lumtur këtu dhe menaxheri i ri kërkoi nga unë të mbetem sepse llogarit në mua. Kjo më dha besim, problemet i takojnë të kaluarës. Kanë marrë fund”, u shpreh ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›