Lushnja, Bano: Ndaj Bylisit, sulmi tregoi efikasitet
Trajneri i verdhjeshilëve shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në testin e fundit kundër ballshiotëve dhe vlerëson me nota të larta sulmuesit Galica dhe Canka
Nga JULIAN KASAPI
Lushnja ka luajtur një tjetër miqësore, këtë herë me Bylisin, ose siç u tha gjatë zhvillimit të ndeshjes, me ironi nga ana e tifozerisë vendase: me Angolën! Kjo për faktin se në formacionin e ballshiotëve ishte vetëm Haxho si portier dhe Shoshi si qendërmbrojtës nga Shqipëria. Nëntë të tjerët, ishin futbollistë me ngjyrë, që Agim Canaj do të provonte. Lushnja ka vijuar me rezultatet pozitive në këto miqësore që ka zhvilluar. Ekipi i drejtuar nga trajneri Bano ka bërë një paraqitje të mirë në takimin e zhvilluar me Bylisin. Galica, Çela dhe Canka ishin autorët e golave, duke i dhënë kështu një sinjal të mirë stafit teknik se sulmi është në duar të sigurta. Numri 1 i stolit të Lushnjës është shprehur i kënaqur për formën e treguar nga ana e futbollistëve të ti. Ky test është në funksion të ndeshjes së parë që do të zhvillojmë në kampionat në stadiumin tonë. Ndaj Bylisit treguam një formë të mirë sportive dhe më pëlqeu mënyra se si futbollistët e organizuan lojën, ku sidomos sulmuesit që ishin në ditën e tyre më të mirë. Do të vijojmë të punojmë me ritme të larta, pasi këtë sezon kemi një objektiv, siç është ai i ngjitjes në Superligë. Edhe ditën e shtunë do të luajmë një tjetër miqësore me ekipin e Naftëtarit në fushën tonë, ku sërish do të kemi mundësi për të parë formën e futbollistëve që kemi në dispozicion,- përfundon trajneri Artan Bano.
