E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshja me Shqiperine Bosnja nevoje per mision pajtimi

Është dashur ndërhyrja e njeriut më të shquar të momentit për të shpëtuar situatën.

Bosnjë-Hercegovina përjetoi një tërmet të vërtetë pas humbjes në Rumani dhe rrezikoi të ishte krejtësisht e copëtuar përballë Shqipërisë, në ndeshjen e nesërme për eleminatoret e Euro 2012. Ishte vetëm ndërhyrja e njeriut që shpëtoi federatën, pra e Ivica Osimit, që gjendja të mos degjeneronte përfundimisht.

Pasi trajneri Sushiç shpërtheu ashpër dhe publikisht ndaj yjeve të skuadrës së tij, erdhi edhe zemërimi i futbollistëve i cili, edhe pse nuk ka dalë në media, është tepër i madh. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e futbollit boshnjako-hercegovinas diskutuan edhe mundësinë e ndryshimit të stolit, por vendimtar ishte qendrimi i mbajtur pikërisht nga Ivica Osim.

Ish-trajneri i njohur kritikoi lojtarët duke i ngarkuar me përgjegjësi për mënyrën e lojës në Bukuresht, ndërsa justifikoi disi reagimin e trajnerit duke thënë se ai priste tjetër rezultat në Rumani.

Gjithsesi, ndërsa ekuilibri delikat në futbollin dhe në përfaqësuesen boshnjake duket thuajse i prishur, sërish asgjë nuk ka ndryshuar për Shqipërinë, pasi Bosnjë-Hercegovina mbetet një skuadër krejt e paparashikueshme. E aftë të mundet 0-3, por edhe të arrijë fitore të mëdha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›