Ndeshje speciale

Përballja ndërmjet Vllaznisë së Shkodrës dhe Thunit, në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Europa League, do të jetë e veçantë për anëtarin e klubit zviceran Milaim Rama.
Sulmuesi me prejardhja nga Kosova për herë të parë në karrierë do të luajë kundër një ekipi shqiptar. Madje, ish reprezentuesi i Zvicrës sefte në jetën e tij do ta vizitojë Shqipërinë.
“Jam shumë i gëzuar që do të luaj kundër Vllaznisë. Kur morëm lajmin se mund të luajmë kundër tyre hyra në ueb faqen e klubit dhe e pashë që është një klub i vjetër dhe me traditë. Jam i gëzuar që do të shkoj edhe në Shqipëri pasi asnjëherë në jetë nuk kam pasur rastin të shkoj. Shpresoj se do të kthehem me një bindje të mirë”, ka thënë Rama për Express të premten.
Ish sulmuesi i klubit gjerman Augsburgt dhe atij zviceran Schaffhausenit ende nuk e di nëse do të luajë nga minuta e parë të enjten e ardhshme përballë Vllaznisë në stadiumin ‘Loro Boriçi’.
“Shpresoj se do të luaj. Gjatë përgatitjeve kam dhënë maksimumin dhe i kam bërë me dije trajnerit se jam i gatshëm. Atij i mbetet të vendosë nëse do të luaj apo jo”, ka theksuar 35 vjeçari.
Rama, i cili para pak dite vazhdoi kontratën me Thunin edhe për një vit, është i gatshëm të festojë në Shkodër nëse arrin të realizojë gol.
“Sigurisht çdo sulmues e ka festimin e vet pasi të realizojë. Unë kam dëshirë që të shënoj kundër Vllaznisë dhe të festoj. Me siguri se tifozët shkodranë do të më kuptojnë”, u shpreh sulmuesi shtatlartë.
Vllaznia në rrethin e parë të kualifikimeve për Europa League ka eliminuar ekipin nga Malta, Birkirkara. Kosovari me pasaportë zvicerane thotë se nuk do ta kenë lehtë përballë shkodranëve.
“Nuk do te jetë lojë e lehtë për neve. Ata janë kualifikuar në rrethin e dytë dhe kemi respekt. Trajneri ka qenë të enjten në Shkodër që ta shikojë Vllazninë dhe shpresoj që do të na jep diçka rreth sistemit të lojës së tyre”, deklaroi Rama i cili tha se synojnë kualifikimin në rrethin e tretë.
Ndeshja e parë mesë Vllaznisë dhe Thunit do të zhvillohet më 14 korrik në Shkodër, derisa takimi kthyes do të zhvillohet një javë më vonë në Bernese Oberland.
Sa i përket kampionatit zviceran, i cili do të startojë javën e ardhshme, Rama tregon se objektiv i Thunit është që të mbledhë sa më shumë pikë që t’i shmanget fundit të tabelës.
Përveç Ramës, në Thun luajnë edhe dy futbollistë shqiptarë me prejardhje nga Maqedonia, Muhamed Demiri dhe Mirson Volina.