E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ikin” nga të nxehtit, gjejnë shpëtim në pishina

Nga Express më 09 korrik 2011 në ora 16:19

Temperaturat e larta të verës që po mbretërojnë në Kosovë kanë shtyrë shumë qytetarë që këtyre ditëve të vikendit t’ia mësyjnë pishinës së Gërmisë për t’i shpëtuar vapës së madhe. Vizitorët ankohen për çmimet e hyrjes në pishinë, të cilat sipas tyre janë të larta, ndërsa drejtues të pishinës mohojnë të ketë ngritje të çmimit të biletave.

Për dallim nga ditët tjera kur pishina e Gërmisë kishte më pak vizitorë, varësisht prej motit, të shtunën në ambientet e kësaj pishine ishte një numër i madh qytetarësh që kishte shfrytëzuar kohën tepër të mirë që po mbretëron për të pushuar.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme për kushtet që i ofron kjo pishinë. Disa prej tyre thonë se nuk janë të kënaqur me çmimin që duhet ta paguajnë për biletë e disa të tjerë shprehen të pakënaqur me kushtet që ofron kjo pishinë, por nuk sqarojnë se çfarë në të vërtetë nuk iu pëlqen.

E më indinjuarit në këtë mes janë pensionistët. Kjo kategori e shoqërisë thotë se deri sivjet nuk ka paguar hyrje për ta vizituar pishinën por tash është ndryshe, sikurse të gjithë vizitorët edhe pensionistët duhet paguar.

Rasim Hoti, pensionist i Kosovës, njëherësh vizitor në pishinën e Gërmisë thotë se ndihet i kënaqur për kushtet që ofron kjo pishinë, por jo edhe për detyrimin e pagesës që u bëhet pensionistëve e Kosovës.

“I kënaqur jam, vetëm nuk jam që po na detyrojnë të paguajmë për ne që jemi pensionist që kemi qejf të vijmë rregullisht”, ka thënë ai.

Ndërsa Enver Ejupi ankohet se në përgjithësi në pishinat e Kosovës mungojnë rregullat.

“Jo vetëm këtu, por në çdo pishinë në Kosovë nuk ka rregulla, nuk ka rregullore që zhytësit apo shpëtimtari apo ata të cilët janë rreth pishine i njohin rregullat e veta, të cilat secila pishinë mund t’i ketë”, ka thënë Ejupi.

Për dallim nga Ejupi, Bekim Islami ka tjetër hall. Ai shprehet i kënaqur me kushtet që ofrohen në këtë pishinë, por jo edhe me çmimin e biletës.

“Kushtet janë shumë të mira, uji është i pastër, por çmimet janë katastrofale. Bileta është 2 euro për të rritur dhe 1 euro për fëmijë”, shprehet ai.

Drejtori i pishinës së gërmisë Enver Rakovica thotë se çmimet nuk kanë ndryshuar nga ato që kanë qenë më herët edhe pse kjo pishinë nuk gëzon mbështetje financiare institucionale dhe të gjitha të hyrat i siguron nga vizitorët.

“Çdo centë që hyn këtu është për të mirë të vetë vizitorëve për të krijuar një ambient më të mirë vitin e ardhshëm që do të mundemi të investojmë”, ka thënë Rakovica.

Ndryshe, për sigurinë e notuesve në pishinën e Gërmisë përkujdeset ekipi prej 10 shpëtimtarëve dhe dy zhytësve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›