E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndezësit e zjarreve do të ndiqen penalisht

Gjilan, 18 gusht - Policia e Gjilanit ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre. Zyrtarë të Policisë në Gjilan njoftuan të mërkurën se në stacionet policore të rajonit të Gjilanit vetëm javën e fundit janë raportuar 7 raste të zjarrit. Zëdhënësi Ismet Hashani ka thënë se me gjithë reagimin e shpejtë të zjarrfikësve, zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pronat e qytetarëve.
Në Velekincë të Gjilanit një ditë më parë kishte shpërthyer një zjarr i cili kishte shkaktuar dëme materiale. Togeri Hashani ka thënë se njësite patrullues me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para, si dhe nga deklarata e viktimës, pronar i një pishine në atë lokalitet, dyshohet se zjarri ka shpërthyer në momentin, kur nga të dyshimtë tani për tani të panjohur është ndezur ara hamullore, ndërsa zjarri më pas ka marrë përmasë të mëdha, duke përfshirë edhe hapësirat e pishinës, si dhe një restorant të  pishinës.
Policia i thërret dhe apelon qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm dhe në asnjë mënyrë të mos ndezin zjarre në prona të hapura. Kush do qoftë që haset apo kuptohet se ka ndezur zjarr, veçanërisht në këto ditë kur temperaturat janë të larta, do të ndiqet penalisht,  është thënë në Policinë e Gjilanit.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Bujqësisë në Gjilan, Nazmi Rapuca, u ka bërë thirrje fermerëve dhe të tjerëve që të mos djegin sërnishtat, sepse djegia e tyre, krahas rrezikut nga përhapja e zjarrit, shkakton edhe humbjen e materieve organike, shkatërrimin e gjallesave në tokë, prishjen e ekuilibrit biologjik e kimik të tokës, si dhe uljen e rendimenteve të kulturave bujqësore në vitin pasues.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›