E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret kërcënojnë edhe Prishtinën

Prishtinë 18 gusht - Komuna e Prishtinës këto ditë është duke u përballur nga rreziku potencial i përhapjes se zjarreve. Vetëm brenda kësaj jave brigada e zjarrfikësve ka intervenuar dhe shuar 33 vatra të ndryshme zjarri, shifër kjo që është dukshëm me e madhe krahasuar me një javë me herët.
Nga zjarri është rrezikuar edhe parku në Gërmi, ku nga pakujdesia e disa qytetarëve, të hënën pasdreke ka shpërthyer një zjarr. Me të marrë lajmin, njësitë e zjarrfikësve dhe zyrtarët e mbrojtjes dhe shpëtimit të KK-së kanë ndërhyrë për ta shuar atë. Pas një ore zjarri është lokalizuar, por në të njëjtën ditë, në orën 22:00, përsëri ka shpërthyer zjarri.
Në vend ngjarje ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili u informua nga përfaqësuesit e ekipeve emergjente për përhapjen e zjarrit dhe lokalizimin e tij.
Zyrtarët komunalë kanë vëzhguar këtë lokacion për tri ditë me radhë, ku kohë pas kohe
janë vërejtur shenja se zjarri mund të aktivizohet, ndërkaq, sot kanë lokalizuar tërësisht një hapësirë prej 10 deri në 15 ari dhe e kanë fikur tërësisht atë.
Andaj, me anë të një komunikate për opinion, Komuna e Prishtinës u bën apel qytetarëve që të evitojnë përkohësisht përdorimin e zjarrit nëpër hapësira publike, ngase të gjithë kemi përgjegjësi për ambientin ku jetojmë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›