“Ndihem më mirë”, por Ibra luan i dëmtuar me Shqipërinë
Sulmuesi i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç, do të jetë në formacionin titullar, që do të zbresë në “Qemal Stafa” ndaj Shqipërisë të shtunën. Lajmi është konfirmuar nga vetë sulmuesi në një deklaratë për median suedeze. Ndërkaq, ylli i përfaqësueses suedeze, Ibrahimoviç, e ka vlerësuar Shqipërinë, duke e cilësuar si një ekip të vështirë për t’u mundur, sidomos në fushën e saj. “Shqipëria është një skuadër mjaft e vështirë për t’u përballur, veçanërisht në fushë të vet. Shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje, të tjerat nuk kanë rëndësi”, ka thënë Ibrahimoviç. Sulmuesi i mungoi Suedisë në miqësoren e 20 gushtit ndaj Francës, pikërisht për shkak dëmtimi, ndërkohë që u aktivizua në ndeshjen e Superkupës italiane Inter-Roma. Për çudinë e të gjithëve, Ibrahimoviç luajti për 120 minuta, ndërsa Interi u shpall fitues vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Kjo gjë shkaktoi polemika në Suedi, pasi Ibrahimoviç kishte braktisur grumbullimin e përfaqësueses për shkak të dëmtimit, ndërkohë që katër ditë më pas ishte ndër më të mirët në fushë për Interin. Gjithsesi, sulmuesi u justifikua kështu: “Sigurisht, unë mund të luaja ndaj Francës, por dilema qëndronte në faktin për sa minuta mund të qëndroja në fushë, - tha Ibra në konferencën për shtyp. – Mbase mund të kisha luajtur 20-30 minuta në miqësore dhe mund ta kisha përkeqësuar dëmtimin. E ç’vlerë do të kishte kjo pastaj? Nuk doja që të rrezikonim. Ndihem më mirë tani dhe po e konstatoj gjatë seancave të fundit stërvitore, - thotë suedezi, teksa konfirmon se ndjen dhimbje në gju. - Po, kam ende pak dhimbje, por nuk është diçka shqetësuese, aq sa të më pengojë për të luajtur”.