E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarah Pelin dhe Barak Obama, debat në distancë

 

Në mbylljen e Konventës nacionale Republikane, dukej se ngjarja më e rëndësishme do të ishte Xhon Mekein, që pranoi kandidaturën për garën presidenciale të nëntorit, por në fakt vëmendja e republikanëve është zhvendosur tek e përzgjedhura e tij për zëvendëse, Sarah Pelin. Ndërsa të mërkurën ajo pranoi të garojë përkrah Mekeinit si zëvendës presidente, duket se fjalimi që mbajti elektrizoi të gjithë delegatët. Pelin pati kurajën që me përballjen e parë drejtuar kombit, të sulmojë kandidatin e demokratëve, Barak Obama, edhe pse vetë ishte viktimë e sulmeve mediatike. Por nuk mbeti pa përgjigje. Mes përfaqësuesve të politikës së ndryshimit nga demokratët dhe republikanët ka pasur replika në distancë. “Obama është një njeri që mban fjalime të tëra për luftërat e Amerikës, por fjalën fitore e përdor vetëm në rastet kur bëhet fjalë për fushatën e tij zgjedhore”, tha Pelin duke e cilësuar Obamën si një njeri të paaftë për të drejtuar Shtetet e Bashkuara. “Obama nuk është një senator i suksesshëm, ai nuk ka qenë autori i asnjë ligji të rëndësishëm apo reforme”, tha Pelin, duke shtuar se Obama do të përdorë termin ‘ndryshim’ për të promovuar karrierën e tij. “Fjalimi ishte shkruar nga autori i fjalimeve të Xhorxh Bushit dhe është i vizatuar ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat mënyra sulmi që kemi dëgjuar nga Xhorxh Bushi gjatë tetë viteve të fundit. Nëse guvernatorja Pelin e Xhon Mekein duan ta përkufizojnë ndryshimin me votat pro Bushit në 90 për qind të rasteve, kjo është zgjedhja e tyre, por ne nuk mendojmë se populli amerikan mund të llogarisë një 10 për qindësh si ndryshim”, u kundërpërgjigj në një deklaratë zëdhënësi i Obamës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›