Ndihma e Shqipërisë për Kosovën, Berisha: Siguria dhe kthimi i të zhvendosurve
Shqipëria do të ndihmojë Kosovën në çdo aspekt të saj, por dy drejtimet kryesore, siguria dhe kthimi i të zhvendosurve gjatë luftës, duke marrë përsipër ndërtimin e shtëpive të tyre. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë Kryeministri Berisha bëri të ditur se Shqipëria nuk planifikon dërgimin e ushtarëve paqeruajtës në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s. Por, ai njoftoi se qeveria e tij ka zgjedhur mënyra të tjera për të kontribuuar në Kosovë. Z. Berisha e argumentoi mospjesëmarrjen e Shqipërisë, pasi sipas tij, KFOR-i është duke shkuar drejt zvogëlimit të trupave. “Siç dihet, KFOR-i po shkon drejt zvogëlimit. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe mund të jetë pjesëmarrëse në KFOR, por ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë. Ne po ndihmojmë qeverinë e Kosovës në dy drejtime. Së pari, po e ndihmojmë në Forcat e Sigurisë, së dyti do të ndihmojmë për ndërtimin e shtëpive për rikthimin e të zhvendosurve. Mosprania jonë në KFOR nuk do të thotë aspak se ka një boshllëk në kooperimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy qeverive”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri i Shqipërisë shprehu vendosmërinë e Tiranës zyrtare për të bashkëpunuar me misionin paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, e ka quajtur të rëndësishme përkrahjen e palës shqiptare për punën e misionit që ai drejton në Kosovë. Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Bentler, theksoi se përkrahja e vazhdueshme e NATO-s dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme për veprimet dhe sukseset e tyre. “Ka shumë mënyra për të kontribuar në misionin tonë të suksesshëm dhe unë mendoj se Shqipëria po e jep këtë kontribut, prandaj ne jemi shumë mirënjohës. Kemi opinione të njëjta se kemi arritur progres në Kosovë gjatë 10 viteve të kaluara dhe po shikojmë pozitivisht drejt të ardhmes”, - tha Bentler. Por pas takimit me komandantin e NATO-së në Kosovë, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u është përgjigjur kritikave të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke thënë se Lavrovi nuk e ka interpretuar drejt deklaratën e tij lidhur me idenë e bashkimit kombëtar shqiptar. “Është për të ardhur keq. Ministri Lavrov parmbrëmë ka thënë ato që unë nuk kam thënë. Unë nuk besoj se ai ka dëshiruar të thotë ato që unë nuk kam thënë. Shpresoj të ketë ardhur nga vështirësia e lindur që rusët kanë për të përkthyer nga shqipja në rusisht. E kanë të vjetër këtë gjë”, - deklaroi z. Berisha. Reagimi i tij erdhi pas komenteve të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili para pak ditësh kërkoi nga BE-ja dhe NATO-ja që të distancohen nga deklaratat e Berishës, sipas tij, për Shqipërinë e Madhe. "Jemi fort të shqetësuar nga deklarata e Kryeministrit shqiptar. Jemi të bindur se kjo deklaratë do të sjellë një reagim të përshtatshëm, pikë së pari nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja", - citohet të ketë thënë Lavrov pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremic.