Prizreni në festë, pret Berishën si “Qytetar Nderi”
I destinuar të mbledhë njerëz pa fund rreth vetes, kudo që shkel me këmbë. Prej tij, prizrenasit e kthyen paraditen e djeshme në ditë feste. Prania mes tyre e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, tejmbushi territorin e qytetit plot histori kombëtare, duke u rënë tupanëve e nisur vallet në mes të grumbullit të madh të njerëzve. Ata e pritën Sali Berishën si një “Qytetar Nderi i Prizrenit”. Një pritje me të vërtetë madhështore, në respekt të së cilës Berisha zbriti nga makina, takoi kosovarët, shtrëngoi duart me ta dhe eci në këmbë përgjatë rrugicave të qytetit. Emocionet dhe lotët shoqëruan shtrëngimin e duarve deri në çastin sublim, atë të vendosjes së shiritit që mbante mbishkrimin “Qytetar Nderi i Prizrenit”. Gjithnjë i shoqëruar nga homologu kosovar, Hashim Thaçi, dhe i ndjekur nga një numër i madh qeveritarësh nga të dy republikat shqiptare. Me qindra qytetarë të Prizrenit u mblodhën përpara ndërtesës ku do të zhvillohej ceremonia solemne për nder të z. Berisha. Sipas kreut të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujo, titulli Berishës i jepet për mbështetjen e vazhdueshme që ai ka dhënë për Kosovën. “Kontributi juaj në momentet e kthesës historike për kombin tonë ishte vendimtar. Në atë periudhë të tranzicionit shqiptar, ju nuk e patët të lehtë të përkushtoheni që procesi të ecë përpara. Në çdo hap tuajin çështja e Kosovës ishte përkushtimi juaj i përhershëm. Me bujari, me pasion dhe atdhedashuri ju ndihmuat për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ju kontribuuat në njohjen e shtetit tonë në të gjithë botën, në një kohë kur duhet të kontribuonit edhe për avancimin e procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, - theksoi z. Muja. Kurse, në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i ekzekutivit shqiptar e cilësoi këtë moment si shumë të rëndësishëm, tashmë, duke e quajtur Prizrenin edhe si qytetin e tij. Z. Berisha theksoi se qyteti i Prizrenit është një djep i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por edhe të Kosovës. “Qyteti juaj, tashmë edhe i imi, ka meritën e madhe në historinë e këtij kombi që pas Krujës të jetë kryeqyteti i dytë i kombit shqiptar. Luftërat dhe përpjekjet e Skënderbeut për lirinë e shqiptarëve dhe vokacionin e tyre perëndimor u mendua se u shuan, por ato gjalluan, u shfaqën në Prizren me të gjithë madhështinë e tyre. Pas shekujsh nate të gjatë osmane, kombi shqiptar në një periudhë kritike të ekzistencës së tij shpalli Prizrenin kryeqendrën e tij, themeloi qeverinë, e cila do të udhëhiqte shqiptarët për lirinë dhe dinjitetin kombëtar”, - theksoi z. Berisha.
Kryeministri shtoi më tej se në Kosovë janë duke u respektuar të drejtat e pakicave. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare siguroi se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës ka qenë vetëm hapi i parë i bashkëpunimit mes dy shteteve, pasi gjëra më të mëdha do të bëhen. “Vij në Prizrenin e pavarur, ëndrra e Ymer Pash Prizrenit dhe e të gjithë shqiptarëve, sot është realitet. Vij me gëzim të madh, sepse ju, gjatë muajve të fundit, prisni çdo ditë me qindra e qindra vizitorë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit që vijnë e vizitojnë Prizrenin dhe kjo falë rrugës së ndërtuar. Ajo është hapi i parë madhor dhe i rëndësishëm, por unë dua t’ju garantoj se ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos jetë i fundit”, - u shpreh z. Berisha. “Ne, - shtoi ai, - do të bëjmë çdo gjë që të ndërtojmë hekurudhën dhe të vendosim linjën hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”. Por, Berisha përmendi edhe vendosjen e linjave të reja të tensionit të lartë dhe ndërtimin e rrugëve të tjera të reja. Në vazhdim, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga përfaqësuesit vendorë të Komunës së Prizrenit, përshkoi në këmbë rrugën nga godina e Komunës e Prizrenit deri tek Shatërvani, duke parë rrugicat e ndërtimet karakteristike si dhe duke u përshëndetur e duke u takuar me qytetarët të shumtë.
Mes qindra kosovarëve, Berisha firmos “Newborn”
I rrethuar nga qindra kosovarë që kishin dalë në sheshin qendror të Prishtinës, çifti kryeministror, Sali dhe Liri Berisha, “firmosën” dje “Newborn”. Në mënyrë simbolike ata vendosën firmat e tyre në monumentin e pavarësisë. Në vijim të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha u ndal në monumentin që simbolizon lindjen e shtetit të ri të Kosovës “Newborn”. Kryeministri Berisha, i cili u prit me brohoritje dhe entuziazëm nga qytetarët e Prishtinës, si dhe grupi i të rinjve realizues të kësaj vepre, vendosi firmën e tij në këtë monument. Duke falënderuar Kryeministrin për vizitën, qytetarët e Prishtinës u shprehën se ai e mbajti premtimin për të lënë mbishkrimin e tij mes qindra e mijëra mbishkrimeve të qytetarëve, në shenjë mirënjohjeje për pavarësinë e Kosovës. Duke përgëzuar krijuesit e veprës për punën e tyre të mrekullueshme, Kryeministri u shpreh se ky monument ka medaljen e artë në zemrën e çdo shqiptari. Në shenjë nderimi dhe respekti grupi realizues i dhuroi Kryeministrit Berisha një fotografi artistike të “Newborn”.
Berisha, Feith: Kosova, gati për integrimin euroatlantik
Shteti më i ri i Evropës, Kosova, përgatitet për perspektivën e saj të integrimit në NATO dhe BE. Kjo falë edhe mbështetjes në të gjitha fushat nga ana e qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha takoi dje drejtuesin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Pieter Feith. Kryeministri Berisha e konsideroi perspektivën e Kosovës në NATO dhe BE si rruga më e mirë që do t’u ofrojë autoriteteve të Kosovës, qeverisë, institucioneve një udhërrëfyes të shkëlqyer për ecjen përpara me reformat, për konsolidimin e shtetit më të ri, të lirë e demokratik të Kosovës. Kryeministri Berisha i shprehu z. Pieter Feith dhe misionit që ai drejton, përkrahjen e plotë të qeverisë shqiptare e të Shqipërisë. Ai u shpreh se Shqipëria do të vijojë të mbështesë e të përkrahë Kosovën në të gjitha fushat, në veçanti të inkurajojë dhe përkrahë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për forcimin e të gjitha garancive për respektimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Kryeministri Berisha u shpreh më tej se është shumë i impresionuar me ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Kosovë për sa i përket rindërtimit të vendit, konsolidimit të institucioneve demokratike, standardeve më të gjera e të larta që autoritetet e Kosovës kanë përqafuar për sa i përket respektimit të të drejtave të minoriteteve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu kontributin e EULEX-it dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë. Të dyja palët u shprehën se me këto ritme mbresëlënëse, me të cilat po zhvillohet e po ecën përpara Kosova në të gjitha fushat dhe konsolidimin e institucioneve, e ardhmja e Kosovës duket shumë optimiste. Z. Pieter Feith është përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe drejton Grupin Drejtues Ndërkombëtar, që është krijuar më 28 shkurt 2008, nga 25 shtete, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka si mision të ndihmojë në njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe ta përkrahë atë në rrugën e saj të zhvillimit.
Berisha, Haradinaj: Pavarësia, hierarkia e arritjeve shqiptare
Për Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, pavarësia e Kosovës është hierarkia e arritjeve të shqiptarëve në gjithë historinë e tyre. Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, z. Berisha u takua dje me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Pas këtij takimi të përzemërt, Kryeministri Berisha u shpreh se këto ditë të vizitës në Kosovë ishin nga më të veçantat e jetës së tij dhe se, para së gjithash, në këtë vizitë Kryeministri shpreh mirënjohjen e tij ndaj udhëheqjes politike të Kosovës dhe ndaj zotit Haradinaj, për kontributin e tyre të çmuar, të madh dhe historik, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Ky kontribut, - nënvizoi Kryeministri Berisha, - ka bërë të mundur mrekullinë e shqiptarëve. Mrekullia më e madhe e shqiptarëve në histori pas luftërave të Skënderbeut është pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, - theksoi Kryeministri, - është arritja më eprore në hierarkinë e arritjeve të shqiptarëve në historinë e tyre”. Z. Haradinaj falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe në procesin e njohjes së saj, si dhe për ndërtimin e aortës së kombit, rrugën Durrës–Kukës.
Berisha takon Dacin dhe Pacollin: Kërkoni zgjedhje të lira
Njeh shumë mirë rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ndaj Sali Berisha të njëjtën gjë kërkon edhe nga opozitarët kosovarë, LDD-ja dhe AKR-ja. Kryeministri Berisha zhvilloi dje në Prishtinë, takime me Nexhat Dacin, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe Bexhet Pacollin, kryetar i Partisë Aleanca për Kosovën e Re. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij më të madh për rolin dhe për kontributin e tyre si në procesin e pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në ndërtimin e vlerave dhe të standardeve demokratike në Kosovë. Sikundër nënvizoi se gjatë diskutimit gjetën mirëkuptim të plotë për të bërë të gjitha përpjekjet e thellimit të bashkëpunimit ekonomik si forma më e domosdoshme për prosperitetin e Kosovës. Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë u ndalën edhe për procesin zgjedhor. Lidhur me këtë, Kryeministri theksoi se opozita ka si të drejtë më parësore të kërkojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe garantoi se për sa kohë ai do të ishte në pushtet, do t’i njohë opozitës këtë të drejtë të shenjtë. Kryeministri shprehu dëshirën e tij dhe bindjen se procesi i ardhshëm zgjedhor në zgjedhjet lokale në Kosovë do të jetë në lartësinë e dinjitetit dhe aspiratave dhe maturisë demokratike të qytetarëve të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që qeveria të krijojë qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Kosovë kushtet për një proces të sigurt zgjedhor për të gjitha forcat politike.
Berisha me minoritetet: Kosova, shembulli më i mirë
Kryeministri Sali Berisha shpreh bindjen dhe besimin se në Kosovë do të vendosen standardet më të gjera dhe më fisnike të lirive dhe të drejtave të minoriteteve dhe format më të mira të decentralizimit. Z. Berisha takoi dje pjesëtarë të Parlamentit të Kosovës nga minoritetet. Kështu, Kryeministri u takua me Sllobodan Petrovic, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nga Partia Liberale Serbe, si dhe me përfaqësues të minoritetit turk, boshnjak dhe ashkali, pjesë të grupit të 7-të parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e këtyre përfaqësuesve të minoriteteve në Parlamentin e Kosovës dhe i siguroi ata se për të çështja e të drejtave të minoriteteve përbën gjithmonë temën më të rëndësishme në diskutimet me autoritetet e Kosovës. Kryeministri konsideroi se është një shembull i mirë dhe duhet të përbëjë një precedent pozitiv edhe në Shqipëri.
Berisha: Jashari dhe Polluzha, sakrifica e pavarësimit
Kryeministri Sali Berisha nderon simbolet kombëtare të Kosovës, heronjtë e saj Adem Jashari dhe Shaban Polluzha. Ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë e nisi me vizitën në Prekaz, ku zhvilloi homazhe në varrin e dëshmorit dhe heroit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit. Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe autoritete të tjera të larta. Kryeministri Berisha u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm, mes duartrokitjeve, përshëndetjeve, emocioneve, lotëve të atyre që kishin dalë për ta pritur në këtë vizitë të parë në Kosovën e pavarur. Pas homazheve, Kryeministri Berisha, në nderim dhe vlerësim të sakrificës sublime të Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij, pohoi se asnjë komb tjetër nuk ka bërë sakrificat e shqiptarëve për liri e dinjitet, por në sakrificën shqiptare në kohëra, Prekazi përbën panteonin e sakrificës së kombit shqiptar. Ai vuri në dukje se Adem Jashari, familja e tij përbën kurorën e përjetshme të kësaj sakrifice në historinë e luftërave dhe përpjekjeve tona, të cilat kanë qenë të panumërta e të vazhdueshme. Sipas Berishës, asnjë njeri nuk sakrifikoi për vendin, për dinjitetin, për kombin sa heroi, tribuni legjendar Adem Jashari, i cili ra për të fituar pavdekësinë me të gjithë familjen e tij dhe e shndërroi Prekazin për ditë të tëra në një Krujë të vërtetë. Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua shtëpisë së Adem Jasharit dhe u takua me familjarë të tij, të cilëve u shprehu mirënjohjen dhe nderimin për sakrificën sublime të kësaj familjeje. “Asgjë nuk kemi ne më frymëzuese se Prekazi, Krujën e dytë të shqiptarëve. U preka shumë, sepse ju i patë ata fëmijë. Ata kanë lindur të gjithë pas luftës, të gjithë kanë marrë emrat e martirëve të familjes Jashari, por, sërish, shndërrimi i ëndrrës dhe sakrificës së tyre në realitet është jetësimi më i madh për këtë familje, për tribunin legjendar dhe mbarë shqiptarët”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri i Shqipërisë shprehu nderimin më të madh ndaj familjes Jashari, si përulje para tribunit legjendar Adem Jashari, të gjithë anëtarëve të familjes së tij që u flijuan për të mos u dorëzuar për flamurin dhe dinjitetin e Kosovës e të gjithë shqiptarëve. Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri homazhe edhe në varrin e heroit Shaban Polluzha.