E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton kosovarët të investojnë në Shqipëri



Kryeministri Sali Berisha ftoi dje biznesmenët kosovarë që të investojnë në Shqipëri në të cilën do të gjejnë një klimë të përshtatshme për aktivitetin ekonomik. Z. Berisha u takua dje me një numër të madh investitorësh të Odës Ekonomike të Kosovës, të cilët kishin ardhur nga e gjithë Kosova. Kryeministri Berisha garantoi në këtë takim mbështetjen që qeveria e tij do t’i japë biznesit kosovar, duke siguruar për heqjen e çdo barriere që ekziston. Berisha shpjegoi reformën që qeveria e tij realizoi në 4 vitet e para të mandatit të saj në fushën e ekonomisë dhe të biznesit, sikundër ka treguar se ajo do të vazhdojë dhe në 4 vitet në vazhdim, me qëllim krijimin e lehtësirave sa më të mëdha për biznesin dhe investitorët.

Kryeministri përmendi disa nga rrugët që do të ndihmojnë dhe mbështesin investitorët, si zhdukja e barrierave doganore, njësimi i nivelit të taksave, sepse, siç cilësoi ai, të ndjekësh të njëjtën praktikë do të thotë të ndihesh njëlloj. “Në lehtësimin e punës së biznesit, - tha Kryeministri Berisha, - ndikon drejtpërsëdrejti dhe ndërtimi i një infrastrukture”. Duke ftuar biznesin kosovar që të investojë në Shqipëri, Kryeministri Berisha nuk ka ngurruar që të përmendë për përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë 4 viteve të shkuara, duke veçuar aplikimin e taksës së sheshtë, prokurimet që në Shqipëri kryhen 100% në mënyrë elektronike, regjistrimin e biznesit brenda një dite, përmes krijimit të One Stop Shop etj.

Si një arritje të madhe në katër vitet e mandatit të parë qeverisës, Kryeministri renditi dhe zbatimin e ligjit të koncesioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›