Statusi, BE shqyrton Shqipërinë më 9 tetor
Shqipëria futet në axhendën e diskutimeve për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kështu, për herë të parë, Presidenca suedeze në axhendën e diskutimeve të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ka përfshirë edhe kërkesën e Shqipërisë. Mësohet se sipas axhendës të përcaktuar, vendet anëtare të BE-së duhet të marrin një vendim paraprakisht që Komisioni Evropian të ketë mandat për të përgatitur një opinion për kandidaturën e Shqipërisë. Vendimi për këtë çështje do të merret nesër në datën 9 tetor. Mësohet se vendimi do të jetë pjesë e parë e axhendës ditën e nesërme gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Transporteve.
Pas këtij miratimi, Shqipërisë do t’i jepet një vendim përfundimtar në lidhje me kandidaturën e saj për t’u bërë vend kandidat për të hyrë në BE.
Eurodeputetja Fajon: Kriteret për Shqipërinë, të njëjta
Eurodeputetja sllovene Fajon foli dje në lidhje me vendimin e Parlamentit Evropian, duke thënë se Shqipëria ka vijuar zbatimin e reformave, por kërkoi më shumë impenjim nga vendi. “Thënë më qartë, ne s'po ulim numrin e kritereve. Qeveritë dhe politikanët e këtyre dy vendeve duhet të bëjnë punën e tyre me përgjegjësi, por ne thjesht kërkojmë që të mos humbim kohë shtesë, çfarë do të ishte e nevojshme, nëse do të kishim të njëjtën procedurë përsëri vitin e ardhshëm në Parlament”, - deklaroi Fajon. Ajo vuri në dukje se që nga korriku janë shpërndarë 150 mijë pasaporta biometrike, ndërsa përmendi luftën kundër krimit, korrupsionit, mbrojtjes së kufijve etj.
Presidenca suedeze: Hyrja në fuqi, brenda mandatit tonë
Miratimi i Traktatit të Lisbonës nga Irlanda ka vënë në lëvizje Presidencën suedeze të BE-së, e cila kërkon hyrjen në fuqi të këtij traktati sa më shpejt që të jetë e mundur, kur dy vende si Çekia dhe Polonia nuk e kanë ratifikuar ende. “Ne dëshirojmë hyrjen në fuqi të traktatit deri në fund të Presidencës suedeze, por e kuptojmë që është e nevojshme të respektohen procedurat në Republikën Çeke'', - deklaroi Kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt në një video-konferencë me homologun çek, Jan Fischer.
Shqipëria në listën “Shengen”, Beja: Pas korrigjimit, tani rruga e hapur
Vendimi i Parlamentit Evropian për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor vlerësohet nga parlamentarët shqiptarë, duke e parë atë si një rrugë të hapur drejt integrimit në BE. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, tha dje për mediat se ky vendim politik i ka hapur rrugën vendit drejt integrimit të mëtejshëm në BE, si dhe u shpreh se Shqipëria do të vijojë të realizojë të gjitha detyrimet e veta. “Besoj i keni ndjekur komentet e opinionit publik, politikanëve, institucioneve evropiane; që të gjithë janë kundër diskriminimit dhe që të gjithë mbështesin të drejtën e shteteve të Ballkanit për t’u integruar në BE. Është një vendim politik tashmë i marrë. Janë vetëm interpretime të ndryshme nga grupe të ndryshme. Kuptohet, secili vend ka për të realizuar ato që i takojnë, por rruga është e hapur. Shqiptarët duhet të kryejnë secili në institucionet përkatëse atë që duhet të realizojë Shqipëria”, - tha Beja. Kryetari i komisionit komentoi edhe bojkotin e opozitës, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk është për t’u përshëndetur, por sipas Bejës, perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk mund të pengohet. “Nuk është një gjë për t’u lavdëruar për Shqipërinë që PS nuk vjen në Parlament, por sigurisht nuk do të pengohet ecja e Shqipërisë dhe integrimi i Shqipërisë”.
Greqia: Brenda 18 muajsh, shqiptarët pa viza
Liberalizimi i vizave me Shqipërinë konfirmohet edhe nga Greqia. Konsulli i sapoemëruar në konsullatën e Koracës, Teodoros Ikonomu, tha dje se brenda 18 muajve shqiptarët do të lëvizin pa viza. Në deklaratën e tij diplomati evropian ka treguar jo vetëm vullnetin pozitiv që ekziston në zyrat e Brukselit, por ka dhënë edhe afate kohore lidhur me procesin. “Jam në dijeni të faktit se jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera kanë pasur vështirësi në marrjen e vizave. Kjo për shkak të modelit “Shengen” në regjimin e lëshimit të vizave. Sa i përket Shqipërisë, mund të them se kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht, e shumta brenda 18 muajsh, kur dhe do të hiqet plotësisht regjimi i vizave me Bashkimin Evropian”, - deklaroi konsulli grek.
Rasmusen, Metës: Shqipëria, kontribut për paqen në rajon
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen, vlerëson kontributin e Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ai i dërgoi dje një mesazh urimi zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, për zgjedhjen në detyrën e re. Rassmussen shkruan: “Shqipëria ka kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe në operacionet e NATO-s, që para anëtarësimit të saj të plotë në Aleancë, kontribut që është dëshmi e qartë e zgjedhjes së rëndësishme të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e komunitetit të kombeve demokratike të zonës së Atlantikut të Veriut në përpjekjet e tij për siguri”. Ai shpreh bindjen se ky përkushtim do të vijë vetëm duke u forcuar, sidomos tani që Aleanca mbetet fortësisht e përkushtuar ndaj Afganistanit dhe ndërsa në të njëjtën kohë po kalon përmes një transformimi të rëndësishëm. Në mesazh thuhet më tej: “Kjo punë përfshin edhe zhvillimin e një koncepti strategjik të ri deri në samitin e ardhshëm të NATO-s në vjeshtën e vitit 2010. Ky proces do të jetë një proces përfshirës politikëbërjeje që do të përfshijë të gjithë aleatët dhe jam i sigurt se Shqipëria do të marrë pjesë në detyrimet e caktuara. Ju mirëpres në selinë tonë qendrore gjatë takimit të ardhshëm të ministrave të punëve të jashtme të NATO-s. Edhe një herë, do të doja t’ju ofroja përgëzimet e mia, së bashku me urimin për sukses në detyrat tuaja”.