E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “Nuk tërhiqemi nga varianti i vjetër”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Fatos Beja pohoi dje se komisioni që ai drejton do të vazhdojë të diskutojë tri projektligjet që tashmë janë depozituar atje. Në këtë mënyrë Beja konfirmon se demokratët do t i qëndrojnë variantit të parë edhe pas diskutimeve dhe debateve për dy ditë me radhë në Grupin Parlamentar të PD-së”

Partia Demokratike nuk tërhiqet nga varianti i saj i vitit 2006 për hetimin e dosjeve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, por njëkohësisht dhe deputet i Partisë Demokratike, Fatos Beja, pohoi dje se komisioni që ai drejton do të vazhdojë të diskutojë tri projektligjet që tashmë janë depozituar atje. Në këtë mënyrë Beja konfirmon se demokratët do t i qëndrojnë variantit të parë edhe pas diskutimeve dhe debateve për dy ditë me radhë në Grupin Parlamentar të PD-së. Për sa i përket faktit se ka skaduar afati ligjor për këto nisma, Beja sqaroi se ato janë nisma grupesh parlamentare dhe, si të tilla, kanë rëndësi. Ndërkohë që Konferenca e Kryetarëve duke ecuar në bazë të prioriteve ka vendosur diskutimin e tyre vetëm në këtë moment.
Qëndrimi
“Lidhur me hapjen e dosjeve do të vijojë puna në komision me ato tri projektligje që ne kemi tashmë. Do të vazhdojmë diskutimet në vijim të asaj që ne kemi nisur”, - kështu pohoi dje deputeti demokrat Beja. Lidhur me kritikat e PS-së për kalim afatesh, Beja sqaron se diskutimet në Komisionin e Ligjeve vazhdojnë në bazë të vendimeve të Konferencës së Kryetarëve. “Ato janë nisma grupesh dhe nuk janë nisma të thjeshta. Komisioni është i detyruar të miratojë kalendarin e punimeve të miratuara nga Konferenca e Kryetarëve dhe këto tri drafte kanë qenë vijimisht në kalendar dhe program. Kanë qenë prioritete të reja dhe Konferenca ka ecur në bazë të tyre. Po punojmë në frymën e kalendarit”, - tha ai. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të dy ditëve më parë, kryeministri Berisha i ka kërkuar Aldo Bumçit dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, të konsultojnë të gjitha variantet. "Deputetët Bumçi dhe Beja do t i shqyrtojnë të gjitha variantet dhe të merret edhe konsensusi i PS-së për një projekt. E mira të ketë transparencë, qoftë edhe e pjesshme. Një transparencë e pjesshme është më e mirë sesa pa transparencë", - ka deklaruar kryeministri Berisha. Propozimi zyrtar i bërë në vitin 2006 nga ish-kryetari i Grupit Parlamentar të kohës, Bamir Topi, dhe ai i deputetit Aleksandër Biberaj ndahen për sa i takon përjashtimit ose jo të deputetëve në rast se ata identifikohen si ish-bashkëpunëtorë të regjimit. Në vitin 2006, Bamir Topi parashikonte në nenin 18 të draftit të tij se kandidatët për deputetë apo kandidatë për kryetarë komune, apo bashkie, i nënshtrohen verifikimit të figurës, vetëm pasi të jenë shpallur fitues. Ndërsa sot, dy vjet më vonë, deputeti tjetër demokrat, Biberaj përgatiti një projektligj ku asnjë nga zyrtarët shtetërorë, përfshirë edhe ligjvënësit nuk përjashtohen nga hapja e dosjeve, nëse ata e kanë një të tillë. Një tjetër ndryshim mes dy varianteve është zgjerimi i fushës së hetimit. Në bazë të draftit të Biberajt, pjesë e hetimit do të jenë dhe drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qendror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit, drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audiovizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë, akademikë, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë të universiteteve shtetërore si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike si dhe përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Të gjitha këto kategori nuk ishin përfshirë në projektligjin e demokratëve të dorëzuar në 2006.

Ky lajm është publikuar: 10/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›