E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjeti i pasaportave false, çekët nisin hetimet për shqiptarin



PRAGË – Policia çeke tha se shkatërroi një organizatë kriminale që kryente falsifikim pasaportash ndërkombëtare me qëllim shitjen e tyre për emigrantët. “Policia ka shkatërruar një bandë ndërkombëtare të dyshuar për prodhimin e pasaportave të falsifikuara çeke dhe furnizimin me to, të emigrantëve të paligjshëm dhe ndoshta grupeve të krimit”, thuhet në një deklaratë që shpërndau policia. Zëdhënësi i policisë çeke në Pragë, Pavel Hantak thotë se dy të dyshuarit janë një 41-vjeçar shqiptar dhe një grua çeke. “Ata u arrestuan muajin e kaluar në Republikën Çeke, ndërsa një burrë rumun u arrestua në vendin e tij”, tha zëdhënësi i policisë. Ai shtoi se autoritetet britanike po hetojnë një anglez 42-vjeçar të dyshuar për implikim në këtë rast. Sipas policisë, persona të dyshuar për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, duke përfshirë edhe emigrantë iranianë, janë arrestuar në Britani, Gjermani dhe Spanjë. Hetimi filloi nga këto raste.
Zëdhënësi Hantak tha të mërkurën se policia është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet në Austri, Francë, Greqi dhe Zvicër për hetimin e rrjetit kriminal por ai nuk dha hollësi të mëtejshme.

Arrestohet kosovari, përdori pasaportë false në portin e Durrësit

DURRËS – Një shtetas nga Kosova është ndaluar pasi u në Portin e Durrësit me një pasaportë jugosllave false. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fatmir Gerguri, 42 vjeç, lindur e banues në Vushtri të Kosovës. Sipas tyre, prangosja e Gurgurit u bë për arsye në kohën kur ky shtetas po hynte në territorin shqiptar (kthehej nga Italia me një nga tragetet e linjës Bari–Durres), ka paraqitur pranë Policisë Kufitare një pasaportë jugosllave në emër të shtetasit A.K., e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit u shpreh se është sekuestruar në cilësinë e provës materiale i dokumenti i mësipërm dhe materialet për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”.

Bllokohen lojërat e fatit, hetime ndaj tre pronarëve

DURRËS – Rinisin aksionet policore kundër lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitet të palicencuar. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë bllokuar tre pika në qytetin e Durrësit dhe kanë nisur hetimet në gjendje të lirë ndaj pronarëve të tyre. Aksioni është realizuar nga agjentët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Burimet zyrtare pohuan se kanë nisur hetimet ndaj shtetasve I. R., 38 vjeç, lindur ne Shupenzë të Dibrës e banues në lagjen Nr. 17 në qytetin bregdetar, S. M., 53 vjeç, lindur në Luzni të rrethit të Dibrës dhe banues në lagjen Nr. 17 dhe M. B., 48 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në lagjen Nr. 18. Sipas burimeve policore ndaj tre personave ka nisur hetimi për veprën penale të ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›