E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, Inva Mula: “Procesi të nisë në maj, sepse djali është në shkollë”



Laureta Rryçi

Seanca e radhës në procesin për divorcin mes Inva Mulos dhe Pirro Çakos nuk ka vijuar dje ashtu siç pritej. Avokatët që përfaqësojnë interesat e sopranos së njohur kanë paraqitur një kërkesë për gjyqtaren që po gjykon padinë civile. Sipas Inva Mulës, ky proces duhet të vijojë në muajin maj për shkak se djali i saj është në shkollë në Paris dhe e ka të pamundur të kthehet në Shqipëri. Por nuk ka qenë vetëm kjo kërkesë për të shtyrë seancën. Avokatët e Pirro Çakos nuk ishin fare të pranishëm në seancë, edhe pse e dinin që pritej të merrej në pyetje djali. Gjyqtarja Elona Gjoka ka vendosur që seanca e radhës të jetë më 14 maj. Në këtë seancë do të pyetet djali i çiftit të njohur se më kë prind ka dëshirë të qëndrojë pas divorcit.
Procesi
Nga dita kur sopranoja mori iniciativën për t’u ndarë me bashkëshortin e saj tashmë po bëhet gati një vit. E megjithatë, çifti i njohur Inva Mula dhe Pirro Çako nuk kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët mbi kujdestarinë e djalit të vetëm. Gjyqtarja që po shqyrton divorcin vendosi vetëm seancën e kaluar që në Gjykatë të paraqitet djali, ku do të pyetet në prani të tre psikologëve se pas ndarjes së prindërve me kë do të qëndrojë. Palët në këtë proces po komunikojnë vetëm nëpërmjet avokatëve që përfaqësojnë të drejtat e tyre. Kjo si duket e ka vështirësuar shumë mundësinë për të rënë dakord mbi disa momente të domosdoshme që kërkohen kur bëhet ndarja ligjore e martesës. Vetëm një seancë më parë, meqë nuk kishin rënë dakord, një psikologe ka qenë në shtëpitë e Inva Mulës, por edhe në atë të Pirro Çakos. Përballë kësaj situate, gjyqtares i duhet të vendosë vetë se cili prind do të ishte zgjidhja më e mirë për djalin. Prej disa muajsh psikologja ka realizuar takime disa herë me Inva Mulën edhe Pirro Çakon. Ndërkohë është parë dhe rrethi miqësor që kanë ata në jetën e përditshme, aktiviteti ditor, si dhe kushtet ekonomike. Mësohet se këto të fundit janë një nga pikat kyçe që ndikojnë në dhënien e kujdestarisë, pasi mendohet për mirëqenien e fëmijës. Psikologja ka biseduar edhe me djalin për të parë gjendjen emocionale të tij se me kë dëshiron dhe ndihet më mirë ai që të jetojë në të njëjtën shtëpi, duke hequr dorë kështu nga qëndrimi me prindin tjetër. Ndërsa tani djali do të shprehë dëshirën e tij përballë gjyqtares. Çifti i njohur prej vitesh jeton larg njëri-tjetrit.
Padia
Në prill të vitit të kaluar ka qenë sopranoja që ka marrë nismën ligjore që kjo ndarje tashmë të kthehej në një divorc zyrtar mes tyre. Për Inva Mulën divorci ishte e vetmja zgjidhje e mundshme e momentit për shkak se ata kishin vite që jetonin në largësi. Ajo me të birin jetonin në shtëpinë e tyre në Paris, ndërsa Pirro në kryeqytetin shqiptar dhe ishte i angazhuar me karrierën e tij artistike. Kjo arsye nuk është pranuar nga kantautori si e vlefshme për të kërkuar divorcin. Ai, nëpërmjet avokatit, i ka kërkuar që të tregojë arsyet e vërteta pse ajo po kërkon divorcin. Aktualisht procesi ka mbërritur në fazën e kujdestarisë së fëmijës, vendim që do të jepet në seancat e radhës në Gjykatën e Faktit.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë takon kryeprokurorin e Spanjës

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka pritur dje prokurorin e Përgjithshëm të Spanjës, Candido Conde-Pumpido Touron, i cili shoqërohej nga anëtarë të tjerë të delegacionit, si dhe nga ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, pasi e falënderoi Conde-Pumpido Touron për vizitën në Gjykatën e Lartë, i shprehu në emër të saj dhe gjithë trupës gjyqësore konsideratat dhe vlerësimin për sistemin gjyqësor në Spanjë, si një sistem i konsoliduar, bazuar dhe në reformat e rëndësishme të marra kohët e fundit. Beçaj u shpreh se në Shqipëri të gjithë po punojnë seriozisht për të përmbushur sfidat të cilat do të na bëjnë pjesë të Bashkimit Europian. “Jo vetëm shteti ynë, por dhe Drejtësia shqiptare janë duke bërë maksimumin e tyre për të ngritur sa më lart nivelin i integritetit, pavarësisë së Gjyqësorit si një gur i sigurt themeli për një demokraci reale e të fortë”, – ka thënë në fjalën e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë. Gjatë bisedës, Beçaj theksoi se tashmë është prioritet lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit për të bërë të mundur kthimin e besimit te publiku duke dhënë, mbi të gjitha, vendime të drejta dhe të arsyetuara. Në fjalën e tij, Conde-Pumpido Touron, pasi bëri një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor dhe të akuzës në vendin e tij, i konfirmoi Beçajt se do të ketë ndihmën e tij dhe të Ambasadës Spanjolle në vendin tonë në mënyrë që në një të ardhme të afërt të shihet mundësia e një bashkëpunimi konkret në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me Gjyqësorin në përgjithësi dhe Gjykatën e Lartë në veçanti, duke e ftuar kryetaren e Gjykatës së Lartë për një vizitë në Spanjë. Candido Conde-Pumpido Touron u shpreh se është njohur gjatë këtyre ditëve me përpjekjet dhe arritjet që ka bërë vendi ynë në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar faktin se edhe pse për pak kohë në Shqipëri, ka gjetur gjuhën e përbashkët me të gjithë drejtuesit e institucioneve të rëndësishme që ka takuar. Sipas tij, pavarësia, liria dhe efikasiteti në dhënien e drejtësisë janë vlera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian. “BE ka vullnet për të bashkëpunuar me ju dhe mbi të gjitha vlerëson dhe mbështet punën tuaj të deritanishme në forcimin e institucioneve tuaja”, – tha më tej Conde-Pumpido Touron.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›