Ndihma për Haitin

Vetëm dhjetë vite më parë, Kosova ishte në
fokus të vëmendjes botërore dhe përfitoi nga dhembshuria që tregoi bota. Duke
shfaqur ndershmërinë themelore të popullit të Kosovës dhe përkushtimin e
shtetit të tuaj për të qenë një qytetar i mirë global, ju u jeni bashkuar
shpejt përpjekjeve për të ndihmuar në Haiti. Veprimi i shpejtë i Qeverisë suaj
për të miratuar këtë dhuratë është një nder për rolin e Kosovës si partner
dashamirës dhe i angazhuar ndërkombëtar
Nga Christopher
Dell*
Tërmeti tragjik në Haiti dhe pasojat e tij paraqesin sfidë të jashtëzakonshme
për popullin e Haitit dhe tërë bashkësinë botërore.
Qytetarët amerikanë, duke përfshirë edhe amerikanët kosovarë, edhe një herë
dëshmuan dhembshurinë dhe zemërgjerësinë e tyre gjatë përpjekjeve për ti shpëtuar
njerëzit nën gërmadha dhe të ndihmonin të mbijetuarit si dhe duke punuar së
bashku me vëllezërit tanë haitianë që kanë marrë rrugën e vështirë të
rindërtimit të vendit të tyre. Gjithashtu, ne mund të mburremi edhe me
përpjekjet e qeverisë sonë. Nën drejtimin e Kryetarit Obama, ne kemi sistemuar
resurse të pashembullta për të ndihmuar njerëzit e shumtë që kanë nevojë për
ndihmë. Kjo reflekton më të mirën nga vlerat tona kombëtare.
Ne nuk jemi vetëm. Kjo tragjedi testoi edhe një herë vendosmërinë e bashkësisë
ndërkombëtare. Dhe trimërohem kur shoh se popujt dhe qeveritë nga e tërë bota
sërish iu janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë. Shembull i bashkëpunimit të
jashtëzakonshëm ndërkombëtar: ishte 20 janari, kur kishte dhjetëra fluturime
nga Brazili, Kili, Franca, Italia, Rusia dhe SHBA drejt aeroportit kryesor në
Port-au-Prince. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore dhe ndihma të tjera
esenciale janë duke shkuar në këtë shtet, kurse punëtorët humanitarë janë duke
punuar tërë kohën që ti shpërndajnë ndihmat atyre që kanë më së shumti nevojë.
Argjentina, Izraeli, Portugalia dhe të tjerët, janë duke drejtuar spitale
lëvizëse në Haiti për tiu përgjigjur nevojave të të lënduarve të shumtë.
Vetëm dhjetë vite më parë, Kosova ishte në fokus të vëmendjes botërore dhe
përfitoi nga dhembshuria që tregoi bota. Duke shfaqur ndershmërinë themelore të
popullit të Kosovës dhe përkushtimin e shtetit të tuaj për të qenë një qytetar
i mirë global, ju u jeni bashkuar shpejt përpjekjeve për të ndihmuar në Haiti.
Veprimi i shpejtë i Qeverisë suaj për të miratuar këtë dhuratë është një nder
për rolin e Kosovës si partner dashamirës dhe i angazhuar ndërkombëtar.
Në mënyrë të ngjashme, trupat tuaja janë duke shërbyer në Haiti me MINUSTAH
(Misioni Stabilizues i Kombeve të Bashkuara në Haiti). Prania e OKB pati humbje
tragjike të personelit gjatë tërmetit. Ata janë rrëzuar, por nuk janë të
përfunduar. Me ndihmën e disa trupave nga Kosova, MINUSTAH është duke punuar në
mënyrë energjike dhe fleksibile për të ofruar siguri në mënyrë që përpjekjet
humanitare të jenë të suksesshme.
Është vështirë të kuptohet shkalla e fatkeqësisë. Me 25 janar, Ministri Haitian
i Komunikimeve deklaroi se numri i të vdekurve është mbi 150 mijë. Sipas OKB,
më shumë se 692.000 njerëz janë të zhvendosur vetëm brenda rajonit metropolitan
të Port-au-Prince-it. Ndihma është duke arritur te populli i Haitit. Dhe vetë
haitianët janë duke i drejtuar këto përpjekje. Rindërtimi i vendit të tyre nuk
nënkupton vetëm ndihmën ndërkombëtare: ajo ka të bëjë edhe me ndihmën që vetë
haitianët ua japin haitianëve, ndihmën që fqinjët ua japin fqinjëve. Ne kemi
parë se bashkësia haitiane e bën pikërisht këtë. Ata janë duke u bashkuar që të
këndellen dhe të rimëkëmben.
Bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë ti ndihmojë ata në këtë punë. Jam i
bindur se SHBA-të dhe Kosova do të mbeten të angazhuara. Njëjtë keni bërë edhe
kur ndodhën vërshimet në Shqipërinë fqinje, me çrast populli dhe Qeveria e
Kosovës reaguan me shpejtësi dhe zemërgjerësi ndaj atyre që kishin nevojë. Ne
përshëndesim kontributet tuaja të rëndësishme në këtë përpjekje e cila do të
përforcojë edhe më tepër pozitën e Kosovës si aktore përgjegjëse dhe e
përgjegjshme në skenën botërore. Shtetet e Bashkuara presin që të punojnë me
Kosovën ne ofrimin e ndihmës dhe dhembshurisë për popullin e Haitit.
(*) Autori është Ambasador i SHBA-ve në Kosovë.