Shtetasit pa pasaportë, brenda prillit me letërnjoftime elektronike

Sipas Zëvendësministrit të Brendshëm, mbi 221 mijë persona kanë aplikuar deri tani për kartat e reja të identitetit
TIRANE - Kur janë mbushur 60 ditë nga aplikimi i parë në Tiranë për pajisjen me kartën e re të identitetit, këtë proces e kanë kryer mbi 221 mijë persona në të gjithë vendin. Deri tani kanë marrë dokumentin e ri 23 mijë qytetarë në Tiranë. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha se deri tani janë ngritur qendrat e aplikimit në 145 gjendje civile në të gjithë vendin dhe në to funksionojnë 291 stacione aplikimi. “Sot në Shqipëri ka një proces që shkon sipas parashikimeve. Janë hapur qendrat e aplikimit në mbi 145 zyra të gjendjes civile, me 291 stacione aplikimi dhe në raportin e pas datës 10 kemi 221.395 aplikime të shtetasve për letërnjoftime, të shpërndara kryesisht në njësitë e mëdha, por edhe në njësitë e tjera”, theksoi Poni.
Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Poni, makinat e prodhimit përgatisin rreth 12-13 mijë letërnjoftime në ditë. Duke bërë një përshkrim të ecurisë së procesit të aplikimit në të gjithë vendin, zyrtari i qeverisë tha se në datën 6 mars kanë aplikuar 10.308 qytetarë në të gjithë vendin, në datën 9 mars 11.097 aplikime dhe në 10 mars 11.763 aplikime. Sipas planit të këtij dikasteri, të hënën të gjithë qytetarët që kanë aplikuar deri në 28 shkurt mund të pajisen pranë gjendjeve civile me kartat e reja të identitetit.
“Deri të hënën do jenë të shpërndara në të gjitha qendrat e shpërndarjes për Tiranën edhe gjithë muaji shkurt, gjë që do ta rrisë në 130 mijë numrin e letërnjoftimeve, që duhet të merren nga qytetarët. Ata duhet të vijnë të tërheqin letërnjoftimet. 12 mijë aplikime në ditë është një shifër goxha e lartë, është në përputhje me planin, sepse 15 mijë është maksimumi nëse punon në të gjithë vendin. Ne sot kemi shtrirje në mbi 76% të popullsisë me zyra aplikimi, që do të thotë se 25% janë këto 2-3 mijë. Jemi në parametra krejt normalë”, vijoi më tej Poni. Numri dy i Ministrisë së Brendshme tha se janë tërhequr nga qytetarët deri tani 23.448 aplikime. Sipas shifrave zyrtare, rezulton se në Tiranë kanë aplikuar për t’u pajisur me kartë identiteti rreth 40 mijë qytetarë që nuk kanë pasaportë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i kësaj kategorie është rreth 80 mijë. Megjithatë, Poni thotë se kjo shifër prej 40 mijë aplikimesh, është vërejtur nga 107 mijë aplikimet e para, të cilat kompania koncesionare ka nxjerrë numrat e identitetit dhe ia ka paraqitur ministrisë.
Nga të dhënat, qendrat e ngritura në Tiranë megjithëse kanë kapacitete për të pranuar deri në 6 mijë aplikime në ditë, numri real i aplikimeve në 24 orë është rreth dy mijë. Përveç 291 stacioneve që po funksionojnë tani normalisht në të gjithë vendin, janë gati për t’u konfiguruar edhe 118 stacione të tjera, të cilat përfshijnë komunat dhe bashkitë me një numër të vogël popullsie. Nga një llogaritje e thjeshtë e zv/ministrit të Brendshëm, rezulton se me një ritëm aplikimi normal, deri në fund të prillit mund të aplikojnë të gjithë qytetarët pa pasaportë.
“Një komunë me 5 mijë banorë, ka rreth 3500 votues dhe që ka afërsisht 1 mijë shtetas pa pasaportë. Nëse do të ketë një stacion aplikimi, mesatarja është 40 aplikime në ditë, që do të thotë që për 25 ditë të pajisen të gjithë shtetasit pa pasaportë. Nëse jap një afat krejt real, që nëse të gjitha stacionet do të jenë operative brenda 27 marsit, sipas llogarive, të gjithë shtetasit pa pasaportë përfundojnë aplikimin brenda prillit”, theksoi më tej Poni.