E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vendi i besimit të palëkundur për investitorët

Kryeministri Sali Berisha përuron në Elbasan Furrën e re Elektrike dhe Impiantin e Filtrimit në fabrikën e prodhimit të çelikut “KURUM”

TIRANE - Besimi i sipërmarrësve të huaj te klima e sigurt që ekziston në Shqipëri për investime u konfirmua dje gjatë përurimit të furrës së re elektrike dhe impiantit të Filtrimit në fabrikën e prodhimit të çelikut “KURUM”, në periferi të qytetit të Elbasanit, një investim i kompanisë turke që kap një vlerë prej 120 milion euro.
Gjatë ceremonisë së përurimit, Kryeministri Sali Berisha, vuri në dukje se ky investim do të ndikojë ndjeshëm, jo vetëm në përmirësimin e mjedisit, por dhe në rritjen e kapacitetit prodhues të çelikut. Pas startimit të butonit që vuri në punë furrën e re elektrike, Berisha vlerësoi se “në 10 vjetorin e fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, kompania “KURUM” po përuron një investim të madh për qytetin e Elbasanit dhe të gjithë vendin”.
“Kjo kompani realizoi një investim të rëndësishëm prej 120 milion euro, me të cilin vendos standardet më të sigurta për mbrojtjen e mjedisit dhe rrit kapacitetin e fabrikës nga 50 mijë ton, që ishte në fillimet e aktivitetit të saj, në 900 mijë ton prodhim çelik në vit, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend të rëndësishëm në prodhimin e çelikut”, tha kryeministri.
Ai tha se ishte informuar nga drejtuesit e kompanisë se nga ky prodhim, 400 mijë ton çelik do të përdoret për industritë vendase, ndërsa pjesa tjetër për eksport. 
Kryeministri shprehu bindjen se “me ritmet e zhvillimit të vendit këto parashikime do të tejkalohen dhe pjesa më e madhe e çelikut së shpejti do të përdoret brenda vendit”.
Ky investim, tha Berisha, ka edhe një domethënie tjetër, po të kihet parasysh se “megjithëse është vit i krizës ekonomike botërore, që ka shembur banka dhe korporata të mëdha të globit, inaugurimi i sotëm është dëshmi e qartë e soliditetit të ekonomisë shqiptare dhe besimit në rritje të bankave dhe biznesit te Shqipëria”.
Kryeministri u shpreh se “ky investim është antidoti më i shkëlqyer për parandalimin e krizës në Shqipëri”. 
Shqipëria, tha Berisha, është vendi i besimit të palëkundshëm për investimet e huaja dhe qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të kontribuar në suksesin e këtyre investimeve.
Nga ana e tij, Presidenti i kompanisë “KURUM”, Hashmet Kurum,  kërkoi nga qeveria shqiptare mbrojtjen e prodhimit vendas dhe uljen e importit të çelikut në këtë periudhë.
Ndërsa ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, tha se “ky investim do të ndikojë në mbrojtjen e mjedisit”.
Në këtë drejtim ai i bëri apel industrive në vend që të shoqërojnë investimet e tyre për rritjen e prodhimit me zbatimin e teknologjive për mbrojtjen e mjedisit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›