“Paratë që investohen në këtë rrugë të shpërndaheshin për mirëqenien”
PS vjell sërish vrer mbi rrugën Durrës-Kukës
TIRANE - Opozita ka vijuar edhe dje që të përdorë krizën ekonomike botërore si një mjet për të shtuar artificialisht panikun në radhët e qytetarëve shqiptarë. Pavarësisht se
nga zyrtarët më të lartë të shumicës duke filluar nga kreu i qeverisë Berisha kanë pranuar se vendi do të ketë njëfarë ndikimi nga kjo krizë porse nuk do te jetë tërësisht e prekur nga ajo, Partia Sociali ka vijuar dje abuzimin me shifrat dhe shtrembërimin e realitetit. “Të kota janë argumentet dhe propaganda e qeverisë për rritjen ekonomike, sepse sot realisht në Shqipëri ka krizë e për rrjedhojë varfërim të familjeve shqiptare. Sot familja shqiptare jeton më keq kur ulen me 30% importet dhe konsumi në treg; ka krizë sepse cilësia e ushqimeve dhe mallrave që sot importohen është në rënie të ndjeshme; ka krizë varfërie kur përgjysmohen dërgesat e emigrantëve në ndihmë të shtëpive të tyre. Sot ka një krizë varfërie kur fshatarëve u duhet të groposin prodhimet e tyre që me aq mund kultivuan këtë vit. Ka një krizë varfërie dhe rënie të fuqisë blerëse kur leku humbet nga një pikë çdo dy ditë në treg”, deklaroi nënsekretari për Programin Politik në selinë rozë, Ervin Bushati. Duke kundërshtuar me cinizëm ndërtimin e veprës kombëtare Durrës-Kukës, ai theksoi se një pjesë e krizës vjen pikërisht nga ky investim madhor. “Ka një krizë, kur 90 për qind e investimeve në vend prej 2 vitesh zhduken vetëm në një vend: në rrugën Rrëshen-Kalimash. Të gjitha paratë që investohen në këtë rrugë, nuk shpërndahen në mirëqenie në familjet shqiptare. Ka një krizë varfërie kur këto investime nuk shkojnë për të rritur mirëqenien dhe punësimin e shqiptarëve”, deklaroi Bushati. Vetëm pak ditë më parë kryeministri Berisha ka ritheksuar edhe një herë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike. Berisha është shprehur në mbledhjen e qeverisë se vendi ynë po i vuan pasojat e krizës por nuk është prekur prej saj. Kreu i qeverisë akuzoi kryesocialistin Edi Rama po luan me kafshatën e shqiptarëve dhe PS-ja po u bie qëllimisht “borive të mjerit”.