Ndihmë financiare edhe për qendrat e kujdesit social
Në Komisionin Parlamentar të Punës, çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë u diskutua në parim projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’”, i cili parashikon përfshirjen për herë të parë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike, të viktimave të trafikimit pas daljes nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social. Projektligji parashikon kostot financiare që do të përballohen për 105 viktima të trafikut. Një risi e projektligjit është edhe financimi i qendrave rezidenciale të viktimave të trafikimit nëpërmjet transferimit të fondeve buxhetore qendrore në organet e qeverisjes vendore dhe, prej tyre, në qendrën ku do të ofrohet shërbimi. Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, që mbrojti draftin e paraqitur Kuvendit nga Këshilli i Ministrave, sqaroi se në thelb të ndryshimeve të paraqitura për miratim qëndron përmirësimi i legjislacionit ekzistues nëpërmjet zgjerimit të grupeve përfituese dhe sigurimin e përfshirjes sociale e mosdiskriminim e Viktimave të Trafikimit si dhe mbështetjen me fonde buxhetore për qendrat rezidenciale jopublike që ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit. Sulka sqaroi se viktimat e trafikimit do të jenë përfituese të ndihmës ekonomike, pasi të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social.
#