Shkodër, kundërshtohet fatura e dëmeve të përmbytjes
Një ditë pas publikimit të faturës financiare që shkaktuan përmbytjet në zonën e Nënshkodrës, reagojnë familjet e dëmtuara. Deklarimi i kreut të Qarkut të Shkodrës, Gjovalin Kolombi, se dëmi është përllogaritur të jetë mesatarisht 1 mijë euro për familje, është konsideruar si qesharak nga kryefamiljarët. Këta të fundit kanë kërcënuar me protesta, në rast se qeveria shqiptare nuk bën dëmshpërblim real.
Kështu, familjet e dëmtuara nga përmbytjet në zonën periferike të “Livadeve” në qytetin e Shkodrës, përveç pajisjeve elektroshtëpiake kanë pësuar edhe plasaritje të mureve dhe themeleve të shtëpive. Sipas tyre, pjesa me e madhe e shtëpive në zonë kanë dëmtime që shkojnë në rreth 10 mijë euro për secilën dhe ajo çfarë është folur nga drejtues të qarkut për dëmshpërblime me vlerë 1 mijë euro është konsideruar si absurde dhe qesharake.
Një nga banorët e zonës së Livadeve, Idriz Shpuza, thotë se “Përmbytja më shkatërroi një jetë të tërë, shtëpinë e gjithçka kisha. Që e gjithë jeta ime të kompensohet me 1 mijë euro është vërtet qesharake. E gjithë lagjja ka ankesa për dëmshpërblimin që tha kryetari i qarkut. Nuk e pranojmë në asnjë mënyrë. Si mund ta pranojmë kur në shtëpinë time nuk mund të jetohet, pasi po bien muret. Dëmi është mbi 10 mijë euro dhe unë nuk kam ç’bëj me 1 mijë euro që duan të më japin. Nëse nuk ndryshojnë vlerën e zhdëmtimit do hidhemi në protesta, duke bllokuar rrugët e qytetit, sepse nuk kërkojmë asgjë më tepër se atë çfarë shteti na ka dëmtuar. Na premtuan se do na dëmshpërblenin për gjithçka, tani thonë vetëm 1 mijë euro...”.
Pakënaqësi ka pasur edhe te banorët e zonave të tjera të dëmtuara. Ata kanë kërcënuar me protesta, nëse qeveria vendos t’u japë vërtet vetëm 1 mijë euro për familje.
Përmbytja e ndodhur ditët e para të fillimvitit nga shkarkimi i ujërave nga hidrocentralet e Drinit, shkaktoi në Qarkun e Shkodrës një dëm që u përllogarit të ishte 4 milionë e 213 mijë euro. Ndërkohë, prej verifikimeve në terren nga 9 grupet e ekspertëve rezultoi se përmbytjet shkaktuan dëme në 4 213 familje, pa faturuar këtu bizneset dhe disa zona bujqësore në zonën e Pentarit dhe Luarzës. Në këto dy zona ende nuk është përllogaritur dëmi i shkaktuar, pasi janë të mbuluara me ujë dhe verifikimet do të mund të bëhen vetëm pas largimit të ujit.
#