E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, 10 miliardë lekë më pak Transporteve

Shkurtimi i fondeve prek edhe projektet e Berishës

Në një kohë kur Kryeministri Sali Berisha planifikon të nisë një fushatë të gjerë ndërtimi rrugësh, vjen reagimi i Ministrisë së Financave. Në planin e rishikimit të buxhetit 2010, preket edhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, së cilës do t’i reduktohen fondet me të paktën 10 miliardë lekë. Konfirmimin e jep Ministria e Financave, e cila po përgatit tabelat e shpenzimeve, sipas planit të ri, me 20 për qind shkurtime. Kriza ekonomike dhe tkurrja e PBB-së detyrojnë qeverinë që të ulë shpenzimet për vitin 2010, me të paktën 25 miliardë lekë, ku gjysma i takojnë Ministrisë së Punëve Publike, institucioni që mbulon investimet e mëdha në vend, si rrugët dhe ujësjellës-kanalizimet. Detajimi i buxhetit të ri nuk ka përfunduar ende, por planifikohet një shkurtim fondesh mesatarisht 30 për qind për çdo ministri, ku më e goditura është dikasteri i Olldashit. Plani i Financave “tradhton” në një farë mënyrë Kryeministrin, i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë, renditi një sërë aksesh rrugore që do të marrin zgjidhje këtë vit. Por edhe nëse nuk do të kishim ulje fondesh, sërish rrugët e premtuara nga Kryeministri nuk gjenin zbatim, pasi buxheti aktual është i pamjaftueshëm.

Sektori

Ende pa hyrë në fuqi plani i shkurtimeve, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka një buxhet prej rreth 52 miliardë lekësh, ku 36 miliardë i takojnë ndërtimit të rrugëve, nga të cilat 12 miliardë me fondet e shtetit dhe të tjerat me borxhe. Me këto të dhëna dhe duke parë tabelat e investimeve të infrastrukturës rrugore, fondet nuk mjaftojnë. Situata bëhet më e rëndë nëse vihet në zbatim plani i reduktimit të fondeve me të paktën 10 miliardë lekë.

Problemet

Tjetër problem jo pak serioz për qeverinë janë shpronësimet, të cilat ngadalësojnë procesin e investimeve. Shumë projekte rrugore mbesin peng i procedurave të gjata të identifikimit të pronarit dhe kompensimit, ndërsa nuk mungojnë problemet me çmimin e kompensimit. Për këtë zë janë parashikuar rreth 1 miliard lekë, ndërsa 4.1 miliardë lekë janë për mirëmbajtje, asfaltim dhe riveshje. Rreth 55 për qind e investimeve në rang vendi zhvillohen nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, kurse te rrugët, mbështetja më e madhe (rreth 57 për qind) vjen nga bankat dhe institucionet e huaja financiare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›