E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmë për kalim kufiri, policia arreston dy fierakë

Autori i Lajmit: red.
Ndihma e dhënë për të kaluar në drejtim të Greqisë ka çuar në pranga dy persona. Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se dje rreth orës 10:30, në Policinë Kufitare në Kakavijë, nga specialistët e hetimeve të Krimit janë vënë në pranga dy persona. Kovaç Yzeiraj, 31 vjeç nga Cakrani i rrethit Fier dhe Kahreman Meçaj, 36 vjeç, nga Fieri, janë vënë në pranga pasi janë kapur në flagrancë rreth orës 08:30, nga shërbimet e Policisë në Kakavijë, duke ndihmuar një burrë e një grua, për të kaluar kufirin me dokumente jo të rregullta, pasi ngjanin, në këmbim të pagesës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se qytetarja me inicialet M.XH, do të kalonte kufirin me pasaportën e bashkëshortes së Yzeirajt. Ndërsa burri i kësaj qytetareje do kalonte kufirin me dokumente të një shtetasi tjetër me ngjashmëri, të cilat i kishte siguruar Meçaj. Të katër këta persona, pasi janë paraqitur në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe kanë dhënë pasaportat për të marrë vulën e daljes, janë ndaluar nga shërbimet e kësaj pike, pasi kanë dyshuar në saktësinë e këtyre dokumenteve. Ka qenë pastaj Policia e Gjirokastrës, që pas një pune hetimore, ka bërë dokumentimin ligjor të kësaj vepre penale. Çifti, në rast se do të kalonte kufirin do të paguanin nga 1500 euro secili. Policia si provë materiale ka sekuestruar dokumentet dhe 4 celularë. Mbi të arrestuarit rëndon akuza e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit”.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›