Ndihmesa e Mid’hat Frashërit, kryetar i Kongresit të Manastirit, për alfabetin dhe çështjen kombëtar
Në fillimet e shekullit të 20-të Mid’hat Frashëri bëhet formulues, zëdhënës dhe misionar i shqiptarizmit, që kish lindur si lëvizje ideore dhe shpirtërore qysh në kohën e Rilindjes. “Shqiptarizma filloi të bëhej një farë feje, një besim, jo individual, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më më mirë akoma feja vetë: njerëz që s’e kishin parë kurrë shoku-shokun, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në besimin e ri, zbulonin se ishin vëllezër…”- shkruante Mid’hat Frashëri. Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithë shqiptarëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune madhore, sidomos kur u krijuan kushtet legale me shpalljen e Konstitucionit të vitit 1908.
“Regjimi që u proklamua me aq bujë në korrik të motit 1908, - shkruante M.Frashëri, - e pruri çështjën shqiptare në një shkallë më akute, e bëri më të gjallë problemin e kombit tonë: a duhej një luftë e çelur kundër dominatorit të huaj, një shkëputje e krejtë, pa të dalë ku të dalë, apo duhej një përpjekje e brendshme për një fuqi intrenseke për koherencën e molekulave që i quajmë individë? Pyetja qe e tmerrshme. Alternativa e parë kishte tërheqjen e aventurës, e një luftimi të rreptë ashtu siç ka dashur kurdoherë arbëreshi. Alternativa e dytë ishte mbase më pjellore, por edhe më e rëndë; pemët e saj do të ishin më të të durueshme, por edhe lypte një paqe-bese provizore. E para lypte zhurmë dhe bujë, e dyta donte kohë, vullnet, organizim, disiplinë, edukatë kombëtare, një patriotizmë inteligjente, një politikë të matur me fuqi mbi veten tonë” - shkruante Lumo Skendo më 1908.
Mid’hati zgjodhi udhën e dytë. Atë të formimit kulturor dhe ndërgjegjësimit kombëtar, të indipendencës mendore dhe morale të shqiptarëve, nëpërmjet shtigjeve që mundësonte ajo kohë: a) Çelja e klubeve kulturorë b) Çelja e shkollave shqipe në tërë hapësirën shqiptare c) njësimi i alfabetit dhe i një gjuhe të shkruar të përbashkët, shtypja e librave, gazetave etj. në gjuhën shqipe dhe përhapja e tyre tek çdo shqiptar, pra mbijetesën, mbrothësimin dhe dalëzotjen nëpërmjet diturisë e qytetarisë.
Më 14 korrik 1908, në numrin e parë të gazetës “Liria” Mid’hat Frashëri u drejtohet gjithë shqiptarëve me kërkesa të tilla. “Ta përdorim mirë këtë liri”- këshillon ai . M.Frashëri është kundër lirisë primitive apo të lirisë së gënjeshtërt. “S’jemi mëmëdhetarë të gënjeshtërt që të themi se shqiptari duhet të rrojë edhe paskëtaj kështu, me atë liri të egër e të rrezikshme. S’është lumturija me të rrojtur si dhitë në majë të malit, s’është rrojtje ajo gjithënjë në frikë e në zihje, gjithënjë me pushkë në dorë dhe me vdekje ndër dhëmb녔
Nuk është e rastit që Mid’hat Frashëri e nisi botimin e gazetës “Lirija” më 14 korrik, ditën e përvjetorit të sulmit mbi Bastijë, pra, të Revolucionit borgjez Francez të vitit 1789, që përmbysi autokracinë feudale dhe hapi epokën e lirisë. “Shekulli i nëntëmbëdhjetë, me tronditjen e Revolucionit të Francës, pa zgjimin dhe rritjen e idesë së solidaritetit ndërmjet individëve të një race, të një gjuhe, të një kombi”- shkruante ai. Nuk është e rastit, gjithashtu, që ai e pagëzoi gazetën së tij politiko-kulturore me emrin “Lirija”, e cila i solli shërbime të mëdha lëvizjes kombëtare dhe kulturës shqiptare.
Nëpërmes faqeve të gazetës thjeshtë shqiptare “Lirija”, L.Skëndo bëhet flamurtar dhe zëdhënës i lirisë dhe i të drejtave njerëzore e kombëtare të shqiptarëve. ǒështë lirija? – pyet ai. Dhe është një nga të parët filozofë shqiptarë që e përkufizon kështu thelbin e lirisë qysh në fillim të shekullit të kaluar: “Lirija është që të mos të të trazojë njëri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët.” ǒështë robërija? – pyet ai. - Është kur s’ke siguri shpirti, kur s’të lënë të rrosh, kur s’të lënë të fitosh, kur s’të lënë të mësosh dhe të hapësh mendjen, kur s’të lënë të flasësh, kur s’të lënë të lexosh e shkruash shqip, kur të ndalojnë shkollat, kur s’ke ku të ankohesh e të mbrohesh, kur s’ka as ligj e as gjykatë, kur je nën mëshirën e pushtetarëve…Lirija është një mjet, është një derë, nga e cila hyjmë në fushë të gjerë të përparimit e të qytetërimit..”
Mid’hati u zgjodh atë kohë, (korrik 1908) kryetar i Shoqërisë së Shqiptarëve të Selanikut, shoqëri e cila hapi një klub dhe një shkollë shqipe. Klube dhe shkolla shqipe u çelën në Elbasan, Vlorë, Filat, Manastir, Shkup, Kolonjë, Korçë , Gjirokastër etj. “Motet 1908-1909 ishin për ne një periodë formimi... Dy vjet ishin mjaft për të prurë një zgjim në zemrat e punët dhe për të kanalizuar qëllimet” - shkruante M. Frashëri. Gjithë përpjekja e tij në këtë kohë u bë: mësimi e dituria - nëpërmjet gjuhës shqipe, për ringjalljen shpirtërore dhe puna e paprerë për ringjalljen ekonomike në Shqipëri. “Dyfekët, thikat dhe jataganët thyejini! Ato armë tani bëjini pluar, bëjini çekanë, se tani do rrojtur me djersë të balit si njerës që na ka bërë Zoti.”- shkruante ai në gazetën “Lirija”, korrik 1908.
Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kombëtare dhe kulturore, shtroi nevojën e ngutshme për njësimin e alfabetit, të një gjuhe letrare të përbashkët dhe qendërsimin e gjithë veprimtarive arsimore e kulturore. Në nëntor të vitit 1908, me nismën e klubit kulturor “Bashkimi”me kryetar Fehim Zavalanin, u mblodh Kongresi Kombëtar i Manastirit, ku morën pjesë 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote, përfaqsues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë vendit. Kryeçështja e Kongresit të Manastirit, ishte njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Edhe konceptimi, edhe diskutimi, edhe trajtimi i kësaj çështjeje nevralgjike, u panë jo si një problem thjesht gjuhësor, por si një nevojë e kahershme kombëtare që kërkonte doemos zgjidhje. “T’i japim një mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkim të të gjithë shqiptarëve me një ABE”. Kjo ishte edhe diviza e kuvendit.
Kjo ishte edhe diviza e Mid’hat Frashërit. Përcaktimi i një alfabeti tërësisht latin dhe më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe, i një abeceje për të gjithë shqiptarët, ishte rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm rilindës që përfundoi me alfabetin e Manastirit.
Padyshim, të gjithë delegatët e në mënyrë të dukshme figurat e spikatura te çështjes sone kombëtare e të kulturës shqiptare dhanë ndihmesën e tyre të shquar në formulimin e kërkesave kombëtare dhe njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, por ndihmesa e Mid’hat Frashërit, jo vetëm si kryetar i Kongresit, si formuluesi kryesor i problemeve kombëtare, por edhe si anëtar efektiv i Komisisë së ABE-së, është i dyfishtë. Ky kontribut i jashtëzakonshëm është mohuar apo denigruar nga historiografia komuniste për motive politike. Vetëm fakti që Midhat Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, Gjergj Fishta kryetar i Komisionit të alfabetit, bëri që në të gjitha botimet në Shqipëri për Kongresin e Manastirit të të ishin të cunguara, të deformuara dhe të censuruara. Madje emri i Mid’hatit si kryetar i kongresit, as që zihet fare në gojë. Po ashtu emri i Fishtës. Për këto arësye, nuk u botuan as procesverbalet e Kuvendit të Manastirit, ku delnin në pah emrat e roli i tyre për alfabetin e njësuar dhe çështjen kombëtare.
Kryesia e kongresit u zgjodh me votim të fshehtë. Kryetar u zgjodh Mid’hat Frashëri, atëhere 28 vjeç, nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qirjazi. Mid’hati , delegat i Klubit të Janinës dhe të Shoqërisë Shqiptare të Selanikut, nuk kishte mbritur ende në Manastir dhe ishte zgjedhur kryetar në mënyrë demokratike në mungesë të tij. Delegatët e pritën në stacionin hekurudhor dhe atje e uruan. Hil Mosi, i foli mirseardhjen, duke “lavduar Frashërin që kish nxjerrë njerës të vlefshëm”, ndërsa Mid’hati ia ktheu aty për aty nderimet Shkodrës për shërbimet e saj ndaj gjuhës shqipe, “në një kohë kur gjuha jonë ishte e ndaluar dhe kërkund gjetkë s’këndohesh shqip”.
Në Komisionin e Alfabetit, pas debateve të gjata e të vështira, misët vendosën njëzëri që të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit dhe tjetri, një abce e re me shkronja tërësisht latine, që do t’i qëndronte së ardhmes. Me përpjekjen e delegatëve e në mënyrë të dallueshme, me këmbënguljen e Ndre Mjedës e të Fishtës dhe me pëlqimin e Mid’hat Frashërit, u arrit ky konsensus historik. Kronisti dhe eruditi Lumo Skëndo dëshmon e vlerëson: “3 vjesht’e tretë, e hënë...Atë Fishta, me atë fuqi të fjalës që e ka vetiu, tha se, sadoqë është i dërguar pej shoqërisë “Bashkimi”, s’ka ardhur për të mbrojtur atë abece, por për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë”. Ndërsa për Ndre Mjedën ai shënon: “Dom Mjeda, me urtësi të madhe foli dhe tregoi se shqiptarët qenkan të zotë që dhe të bashkohen dhe të punojnë së bashku, sikundër që i rrëfen kjo mbledhje e Manastirit”
Mid’hat Frashëri dha ndihmesën e vet të vlefshme njësuese si anëtar i Komisionit të Alfabetit, por edhe vendimore si kryetar i Kongresit, për arritjen e këtij akti të madh. Në precesverbalin që ndodhet në Arkivin ë Shtetit, lexojmë: “Nëenersër nadje, para se të fillojshin mbledhjet e komisionit, ( Dom Ndreu, shën.im UB.) vojt te Mid’hat Frashëri e i paraqiti këta dy alfabete. Zotnija, mbas nji diskutimit të shkurtë, mbet i kënaqun e i tha qi t’ia paraqitte ai vetë Komisionit…”
Nga ky dokument njoftohemi: “Në fund duel kryesonjësi, z.Mid’hat Frashëri, i cili diftoj, se mbas kaq të mbledhunave qi pat pleqësia, çështja e abe-tit muer funt në nji mënyrë qi do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqun e për kët shkak u zgjodhën dy abe-të e të dy do të përdoren prej shqyptarëvet; njeni asht i Stambollit e tjetri nji abet thjesht latin, por qi i bazohet atij të Stambollit”
Albanologu i shquar dr. Holger Pedersen e përshëndeti këtë zgjidhje: “Këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet i vetëm. Ky është një përparim shumë i madh , për të cilin duhet uruar populli shqiptar”
Mid’hat Frashëri është i pari dëshmues publik, qëmtues, studiues dhe botues i punimeve të Kongresit të Manastirit.
Është merita e tij që botoi tek gazeta “Lirija” e motit 1908 programin e Kongresit të Manastirit “ashtu si qe poligrafisur dhe si ish shpërndarë tek delegatët”
Po ashtu, Mid’hati botoi të plotë në këtë gazetë kronikën e përçdoditshme të punimeve të Kongresit dhe procesverbalin mbi bisedimet e debatet, si edhe vendimet e Kongresit të Manastirit . Mund të them se ky botim, 100 vjet më parë, është burimi më i pasur, më i plotë dhe më i paanshëm për Kongresin e Manastirit.
Flakë për flakë Lumo Skëndo hulumtoi, analizoi dhe vlerësoi drejt e qartësisht pemët e Kongresit.
Në analizën e thugët “ǒfituam nga Kongresi i Manastirit”, 22 vjesht’e tretë studiuesi dhe filozofi L.Skëndo konkludon se pemët e Kongresit janë të shumta.
“Qëllimi i parë i Kongresit ishte bashkimi i abece-ve... Ky bashkim është pema e parë e kongresit...Në kongres delegatët e tërë, me një urtësi të madhe, mejtuan jo dëshirat e veta dhe anësitë e veta, po të mirën e kombit...Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, tani themi se abece-ja u njësua. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, vepra për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën...”
Mid’hati profetizon se me njësimin e alfabetit, do të marrin fund “zihjet dhe grindjet për abece-të” dhe do të niste një epokë e re për shqiptarët, të cilët edhe me alfabetin e tyre latin, përcaktohen përfundimisht në Përëndim. Ndarja bizantine na nxinte faqen, shkruante ai në prag të Kongresit të Manastirit. “Gjer më sot në Shqipëri përdoren me shumicë abece: m’e përhapura është ajo e Stambollit...Veç kësaj abece-je, në Shkodër ka tri të tjera... Mos pandehet se veç këtyre abece-ve s’kish tjetër. Jo, mos u gënjeni. Se shqiptarët që kanë qenë kaq shterpë për vepra letrare, kanë qenë shumë pjellorë dhe shumë të zotë për të çpikur abece! ..Edhe kështu, dita me ditë, po na dilte nga një abetare, si kërpudhat pas shiut...Pra, nga ky shkak, librat, fletoret, gazetat dhe të tjera shkrime shqip, s’përhapeshin dot në Shqipëri, se nuk këndoheshin dot prej çdo njeriu...Kjo e ligë ish një mëkatë e madhe dhe një ndalim në përparimin e gjuhës. Pra, kongresi kishte për qëllim shërimin e kësaj plage, që na kishte pushtuar gjithë fuqinë.”
Natyrisht, kjo gjë nuk do të bëhej menjëherë. Duke e pranuar idenë e një alfabeti të vetëm dhe përparësinë e alfabetit të përbërë krejtësisht me shkronja latine, Mid’hati pranoi tezën që të dy abecetë të përdoreshin edhe për një kohë, deri sa të mbetej një alfabet i njësuar. “Tani e paskëtaj, shkruan M.Frashëri, çdo shkronjës është i shtrënguar të përdorë një nga këta dy abece dhe jo të ngjisë një të re, se tani burimi i shpikjes shterroi.”
Mendimtari rilindës M.Frashëri, nisur nga akti i njësimit të Alfabetit, të cilën e cilëson si një risi, ngrihet mbi këtë ngjarje dhe evidenton dukuri më të përgjithshme shoqërore, morale e politike, duke nxjerrë përfundime të rëndësishme në rafshin kombëtar e ndërkombëtar lidhur me qenien, identitetin dhe çështjen shqiptare në procesin formësimit qytetar, kulturor e kombëtar.
“Njësimi i abc-ve është pemë e parë e kongresit, - thekson M.Frashëri. - Po ka edhe një pemë tjatrë që është mbase më e madhe dhe më e bukur. Edhe kjo është bashkimi i shqiptarëvet... Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë e muslimanë, hoxhë dhe priftërinj. Dhëntë, pra, zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agimi i një jete të re, i një jete urtësije dhe vëllazërije” - nënvizon Mid’hat Frashëri. Ndërsa e shkuara i shërben si një sfond dhe e tashmja si ballafaqim, pritmi është parësor për filozofin tonë. Mendja profetike e tij i drejtohet gjithnjë të ardhmes, një jete të re, jo si ëndërues, por si një një mundësi e brendshme shqiptare, si një realitet i pritshëm.
M.Frashëri ishte i ndërgjegjshëm për nevojën e njohjes së Shqipërisë në botë dhe i ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare. Ai kërkoi të dëgjohet zëri i Shqipërisë, të ndreqet imazhi i saj në botë, sepse nuk njihet fare, apo njihet thuajse keq. Kongresi i Manastirit i tregoi botës ekzistencën dhe idenditetin e një kombi. “Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës u tregoi qënien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarije, ajo botë dhe ndër ta armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egjër” sa thuhej. Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë në qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithënjë të zotë që ta mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.”
Edhe pas 100 vjetësh, janë aktuale këto ide progresiste dhe ravgime ekzistencialiste të Mid’hat Frashërit. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut s’është më vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetaria. Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetaria, puna, dituritë, begatija”.
Por idetë dhe vizioni i nesërm i Mid’hat Frashërit i kapërcenin këta kufinj, siç dëshmon vepra e tij tashmë e botuar. Ky kapërcim epokal u bë edhe gjatë Kongresit të Manastirit, në mbledhjet e fshehta të kryesuara nga Mid’hat Frashëri, në të cilat u diskutua dhe u miratua një program kombëtar me kërkesa politike, ekonomike, administrative dhe kulturore, që të çonin kah liria e plotë, shteti kombëtar dhe mëvehtësia. Kongresi i Manastirit i priu pavarësisë dhe një nga prijësit e saj ishte Mid’hat Frashëri, i cili mori pjesë aktive në lëvizjen për pavarësi; mori pjesë në Mbledhjen e Shkupit, qendër e vilajetit të Kosovës, më 14 tetor 1912, që vendosi për shpalljen e Pavarësisë dhe thirrjen e një kuvendi kombëtar mëvehtësues; ai u bë protagonist i shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 si përfaqsues i Gjakovës edhe delegat i Elbasanit dhe ministër në qeverinë e Ismail Qemalit.
Menjëherë pas Kongresit të Manastirit, Mid’hati shtroi problemin e gjuhes letrare të përbashkët në revistën “Dituria” të motit 1909. “A do të kemi një të vetme gjuhë literare shqipe?”-pyet ai dhe i jep vetë përgjigje: “S’mund të mohohet ndryshimi i madh ndërmjet dy dialekteve, pa numëruar nëndialektet e tjerë... Për një komb të vogël dhe të dobët si ne, kjo ndarje dhe çarje është një e vështirë e madhe, një rrezik i vërtetë që s’mund ta shikojmë me gjak të ftohtë. Është, pra,nevojë e madhe që të kemi për shqipen tonë të shkruar një të vetëm gjuhë literare, e cila të nxëhet dhe të përdoret prej tërë kombit tonë.kemi një të vetme gjuhë letrare , e cila nxirret dhe përdoret prej tërë kombit tonë, se të gjithë kombet e qytetëruar një të vetme gjuhë literare kanë”
“Shpirti i një kombi është gjuha” - shkruante M.Frashëri. “Lufta për gjuhën, është një formë tjetër e luftës për të rrojtur”.
Gjuha e përbashkët letrare arrihet nëpërmjet librit dhe rrënjoset nëpërmjet shkollës, mendonte ai. Prandaj Mid’hat Farashëri më 14 mars 1909 nënshkruai thirrjen e Klubit të Selanikut drejtuar gjithë klubeve dhe shoqërive shqiptare për mbledhjen e Kongresit kulturor të Elbasanit dhe përcakton punët që do të sillen përpara kongresit: Themelimi i shkollave shqip; themelimi i një shkolle normale për mësues dhe i një universiteti në Shqipëri; hartimi i programit mësimor të shkollave; përcaktimi i një qendre për të rregulluar veprimtarinë e shkollave (Korça) dhe të një qendre për të udhëhequr veprimtarinë e klubeve {Klubi i Manastirit); kthimi i shkollave greke në shkolla shqipe; lidhja e klubeve me njëri-tjetrin dhe zgjedhja e një programi kombëtar të përgjithshëm. Këto projekte të Mid’hat Frasherit u bënë më pas vendime të Kongresit të Elbasanit (1909)
Miratimi i këtij programi në Kongresin e Elbasanit dhe vënia në zbatim e tij, përbëjnë pa dyshim merita të mëdha të Mid’hat Frashërit në fillimet e jetës e të përpjekjes së tij kombëtare.